E Diel, 1 Nëntor 2026

Beçaj: Të ndryshohen ligjet e gjyqësorit

Kryegjyqtarja flet për problemet e gjykatave në “Ditën e drejtësisë”: Ngërç, emërimet e reja

Sistemi shqiptar gjyqësor vazhdon të ketë probleme me korrupsionin. Gjyqësori është me sytë nga politika dhe Presidenti për Konferencën Gjyqësore dhe miratimin e vendeve vakante. Kërkohet me ngulm plotësimi i kërkesave për ndryshimin e Kodit Penal, Kodit të Procedurës Penale e Civile, si dhe ndryshimet rrënjësore në ligjin për Gjykatën e Lartë. Dje, në Ditën Drejtësisë, Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, gjatë një takimi me gazetarët, tha se ka informuar nëpërmjet një letre Kryetaren e Kuvendit dhe Kryeministrin për problemet që mbart sot sistemi gjyqësor, ndërsa u ka rekomanduar atyre reforma të thella. Sipas saj, reforma konsiston në ligjërimin me paga të aparatit administrativ, krijimin e sistemit të klasifikimit të nëpunësisë civile të stafit administrativ, miratimin e një strukture administrative, krijimin e një mentaliteti të ri të menaxhimit të kompetencave, përfundimin së shpejti të Rregullores së Brendshme të Organizimit të Gjykatës së Lartë etj.

Sipas kryegjyqtares, kodet në fuqi të procedurave penale dhe civile parashikojnë ankimimin me rekurs në Gjykatën e Lartë të të gjitha vendimeve civile e penale të Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës së Shkallës së Parë, pa bërë asnjë kufizim. Kompetencat e gjera kanë bërë që Gjykata e Lartë të jetë e mbingarkuar me gjykimin e çështjeve nga më të thjeshtat e deri te më të komplikuarat. Aktualisht janë në pritje për t’u shqyrtuar 6267 çështje gjyqësore. Nga analiza e periudhës 2007-2009 rezulton se në Gjykatën e Lartë vijnë mesatarisht 4050 çështje në vit, nga të cilat shqyrtohen rreth 2680 dhe numri i mbartjeve vjetore shkon në 1370 çështje. Gjykata e Lartë vazhdon gjykimin e çështjeve të vendosura në radhë dhe të mbartura që nga viti 2007. “Këto kompetenca jo vetëm kanë vështirësuar procesin e formimit të trupave gjyqësore për shkak të numrit të vogël total të gjyqtarëve që ka Gjykata e Lartë, por edhe kanë ngadalësuar gjykimin në tërësi të çështjeve të mbartura”, deklaroi Shpresa Beçaj. Sipas saj, kjo gjendje e pazakontë e mbingarkesës së Gjykatës së Lartë rrjedh prej mungesës së ndryshimeve të kodeve procedurale në fuqi. Beçaj i ka rekomanduar Berishës dhe Topallit kufizimin e kompetencave të Gjykatës së Lartë të përcaktuara në këto kode dhe në projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”.

Gjykata e Lartë vuan edhe nga mbarimi i mandateve kushtetuese 9-vjeçare të gjyqtarëve dhe deri në zëvendësimin e tyre kalon një kohë që vështirëson dukshëm plotësimin e kolegjeve përkatëse. Aktualisht, sipas Beçajt, mungojnë dy gjyqtarë që ju ka mbaruar mandati përkatësisht 7 dhe 4 muaj më parë, kurse në muajin prill të këtij viti ju mbaroi mandati edhe dy gjyqtarëve të tjerë. “Mendojmë se përzgjedhja e kandidatëve për gjyqtarë duhet të shtrihet për 4 vende në Gjykatën e Lartë, me qëllim që, nëpërmjet përshpejtimit të procedurave të emërimit, të shkurtohet koha e qëndrimit vakant të vendeve të lira”, deklaroi kryetarja e Gjykatës së Lartë.

Mosfunksionimi i Gjykatës së Lartë vjen edhe si pasojë e pamjaftueshmërisë së numrit të anëtarëve. Numri total prej 17 gjyqtarësh mundëson krijimin e tre kolegje, një penal dhe dy civilë. Por, mungesa e anëtarëve për arsye shëndetësore përkeqëson punën. Një tjetër rekomandim i Kryegjyqtares është edhe krijimi pranë Gjykatës së lartë të Kolegjit Administrativ, i cili do të jetë i profilizuar dhe i specializuar për të gjykuar konfliktet administrative si shkalla më e lartë e drejtësisë administrative në vend. Shqetësim i madh për Gjykatën e Lartë mbetet funksionimi i saj në mjedise të papërshtatshme dhe të pamjaftueshme. Kërkohen ndihmësgjyqtarë dhe ambiente të reja, apo ristrukturime.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›