E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti dekreton Dervishin dhe Minarollin

Ambasadorët

Presidenti i Republikës ka dekretuar vetëm dy nga kandidaturat e Ministrisë së Jashtme për ambasadorë që kanë kaluar në Komisionin e Jashtëm. Konkretisht, dje kreu i shtetit ka firmosur dekretimin e Dashnor Dervishit si ambasador i Shqipërisë në Greqi dhe të Vili Minarollit si ambasador i Shqipërisë në Austri. Paralelisht, Topi ka firmosur edhe dy dekrete lirimi, që formalisht largonin Dervishin dhe Minarollin nga ambasadat ku kanë punuar deri tani. Kështu, ambasadori i ri në Athinë, ka shërbyer në Qipro dhe i sapoemëruari në Vjenë ka punuar në Athinë që prej vitit 2005.

Në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit kanë kaluar kandidaturat për ambasadorë në Mbretërinë e Belgjikës, Emiratet e Bashkuara Arabe etj. Përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme, Gazmend Turdiu, prezantoi Ilir Tepelenën si kandidat për postin e ambasadorit në Mbretërinë e Belgjikës. Tepelena ka një përvojë të gjatë diplomatike në disa vende të ndryshme të Europës, si Romë, Madrid e Paris. Kandidati për ambasador në Bruksel premtoi se përparësi e punës së tij do të jetë pikërisht forcimi i marrëdhënieve midis Brukselit dhe Tiranës zyrtare. Ndërsa në prezantimin e Behar Bejkos, përfaqësuesi i MPJ-së vlerësoi përvojën dhe njohjen e mirë të tij me vendet e Lindjes së Mesme. Bejko, nga ana e tij, theksoi se një nga objektivat kryesorë të tij do të jetë krijimi i urave lidhëse midis dy vendeve për një bashkëpunim më të mirë në fushën ekonomike, kulturore, politike, si dhe sociale.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›