E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi, pesimist: Nuk ka vullnet politik

Presidenti: Për t’u marrë vesh, duhen dy palë. Për të bërë divorc, mjafton një

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka bërë të ditur dje publikisht atë që është folur në media, që nuk do ta thërrasë tryezën nëse Berisha dhe Rama nuk bien dakord paraprakisht. Kreu i shtetit shqiptar, i cili ka pohuar se ka pasur kontaktet me palët, theksoi se ende nuk janë kushtet për të rinisur bisedimet zyrtare. “Tryeza e Presidentit mund të riinstalohet në çdo kohë, por tryezë që të jetë me rezultate, jo tryeza për tryezë që të fillojë t’i bjerë dhe vlera. Pra, duhet të kemi respekt jo thjesht për individin, individi është pjesëtar i shoqërisë. Sot është President, nesër është një qytetar i thjeshtë i Shqipërisë, por duhet të kenë respekt për tryezën e Presidentit, për institucionin e Presidentit, për çdo institucion të Shqipërisë në mënyrë që edhe bota të na ketë më në konsideratë”, deklaroi dje Topi, në një prononcim për mediat në lidhje me situatën politike.

“Më e rëndësishmja është që të kenë vullnetin politik për të dalë nga kjo situatë që është e pakëndshme. është dhe në koshiencën edhe të qytetarëve, të cilët janë larg politikës, që kjo situatë duhet të mbyllet në mënyrën më korrekte të mundshme. Se si e mbyllin, janë partitë politike. Presidenti ka vullnetin, ka predispozicionin, ka dëshirën që të vendoset dialogu, të rifillojë komunikimi institucional. Presidenti nuk ka në dorë asnjë instrument ligjor që të detyrojë palët”.

Që prej fundjavës së shkuar janë zhvilluar tentativa të vazhdueshme për të riinstaluar dialogun politik në vend, i cili deri tani nuk ka arritur ndonjë rezultat. Vetë Presidenti i Republikës, e ka pranuar këtë fakt, duke shtuar se ai do të vazhdonte pa u ndalur punën e tij për të ndikuar te faktori politik. “Kam qenë në përpjekje dhe vazhdoj të jem në përpjekje të vazhdueshme. Nuk është e thënë që përpjekjet të jenë publike, të demonstruara, por janë një impenjim i punës sime dhe i aktorëve të tjerë institucionalë, pa diskutim, por edhe i bashkësisë ndërkombëtare që këtë situatë të pakëndshme ta zgjidhim sa më shpejt”, tha kreu i shtetit.

Presidenti Topi nuk ka kursyer kritikat e tij ndaj politikës shqiptare që ka krijuar një situatë përplasjeje, por ai nuk i vuri gishtin ndonjë pale si fajtore.

“U bënë muaj, muaj e muaj që kthehemi te dialogu, dalim nga dialogu. Ka një shprehje që ju duhet ta dini: ‘Për t’u marrë vesh, duhen dy palë. Për të bërë divorc, mjafton një palë’”, u shpreh Topi. E thashë këtë, vijoi ai, që është domosdoshmëri kur të diskutojmë për dialogun, partitë politike, mazhoranca dhe opozita të ulen në tavolinën e dialogut. Topi theksoi se “ka shumë qytetarë, të cilët nuk merren me politikë. Ka shumë qytetarë që janë mërzitur nga politika, por kjo nuk do të thotë që qytetarët shqiptarë, që edhe s’merren me politikë, që s’kanë dëshirë të merren me politikë, të dënohen nga politika. Pra, duhet të jetë në koshiencën e klasës politike shqiptare, pa vënë gishtin te askush, të jenë korrektë, të jenë njerëz që të përfaqësojnë interesat madhore të Shqipërisë, pastaj zgjidhjen e kanë më të afërt”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›