E Diel, 1 Nëntor 2026

Bosch: Emërimet, të zgjidhen gjyqtarë apolitikë

Kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, apel në përzgjedhjen e kandidaturave për Kushtetuesen dhe Gjykatën e Lartë

Kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, i ka bërë thirrje si Presidentit të Republikës, por edhe faktorëve të tjerë politikë që anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, duhet të jenë më të mirët dhe pas asnjë lidhje me politikën. Fjalimi u mbajt gjatë një takimi në kuadër të Ditës së Drejtësisë, ku ishin të pranishëm edhe ambasadori i SHBA, Withers, kryeprokurorja Ina Rama e kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj. “Shpresoj që të gjithë personat e përfshirë në procesin e përzgjedhjes do të sigurojnë që individët e përzgjedhur të jenë jopolitikë. Sidoqoftë, të qenët apolitik nuk mjafton. Ata që zgjidhen duhet të jenë, gjithashtu, juristë të shkëlqyer dhe duhet të kenë një reputacion të rrënjosur si njerëz të pakorruptuar apo të pakorruptueshëm”, theksoi diplomati holandez.

Sipas ambasadorit, “ndonëse jo të gjitha seancat dëgjimore për këto emërime mund të jenë publike, pasi është e rëndësishme që të kihet parasysh mbrojtja e të dhënave, unë, sidoqoftë, do të nxisja emërimin e gjyqtarëve më të zotë të mundshëm dhe që publikut t’i jepen shpjegime të plota me shkrim për arsyet për të cilat u zgjodhën këta individë”. Duke iu drejtuar direkt kreut të shtetit, ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, ka folur edhe për gjyqtarët aktualë të Gjykatës së Lartë që u mbaron mandati: “Statusi i paqartë i këtyre ish-gjyqtarëve nuk mund të jetë i pranueshëm për askënd. është thelbësore që Kuvendi i Shqipërisë të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar që ata të cilët kanë shërbyer për nëntë vjet në këtë gjykatë të jenë të qartë për të ardhmen e tyre. Nëse duam seriozisht që kjo gjykatë të prodhojë drejtësi të paanshme, atëherë duhet të sigurohemi, gjithashtu, që anëtarët të cilëve u mbaron mandati të kenë një të ardhme të qëndrueshme profesionale dhe ekonomike”. Edhe ambasadori amerikan, John Withers, i cili gjithashtu foli në takim nënvizoi nevojën e përzgjedhjes së njerëzve profesionalë e të pavarur politikisht në mënyrë që siç tha ai, të sigurohet një sistem drejtësie me vlera.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›