Beçaj: Vendet vakante, anomali në Gjykatën e Lartë
Gjatë ceremonisë së betimit të gjyqtarëve më të rinj në Gjykatën e Lartë, Edmond Islamaj dhe Shkëlzen Selimi, kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj ka kërkuar që vendet vakante të plotësohen në kohën e duhur. Në fjalën e saj, ajo ka kërkuar angazhimin e të gjitha pushteteve, që mos të lejohet më përsëritja e rasteve të zvarritjeve për dekretimin e anëtarëve të rinj, atëherë kur përfundon mandati i një gjyqtari. Kjo deklaratë vjen pasi, sipas kryetares së Gjykatës së Lartë, për një kohë shumë të gjatë u lanë fillimisht 4 vende vakante, më pas tre dhe pas votimit të Islamajt dhe Selimit ka mbetur vetëm 1 vend vakant, duke sjellë, sipas zonjës Beçaj, një situatë të rëndë e aspak normale në Gjykatën e Lartë. “Në këtë gjykatë gjykohen çështje të rëndësishme, të vështira, delikate, që për qytetarët kanë rëndësi jetike. Nëse vendet vakante do të ishin plotësuar në kohën e duhur, nga numri total i çështjeve të mbetura për shqyrtim deri tani do të ishin rreth 2500 çështje më pak”, - tha Beçaj, gjatë ceremonisë së betimit të dy gjyqtarëve të rinj. Më tej, zonja Beçaj kërkoi nga politika shqiptare dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë ndërmarrjen e hapave konkrete për çuarjen përpara të reformave në Gjykatën e Lartë, si një proces kompleks që kërkon angazhimin e të gjitha pushteteve. Gjykata e Lartë ka funksionuar prej kohësh në kushtet e mungesës së gjyqtarëve, për shkak të ngërçit të gjatë, të krijuar me refuzimin e dekreteve të Presidentit Bamir Topi. Shumica në Kuvend nuk ka dhënë bekimin e saj për një sërë kandidaturash, me pretendimin se ato nuk plotësonin kriteret profesionale dhe morale, të përcaktuara nga maxhoranca.