E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva e doganës greke, radhë e gjatë në Kapshticë

Kapshticë- Paralizohet kufiri Shqipëri-Greqi, me dhjetëra automjete në radhë në Kapshticë, pika kufitare në kaos të plotë. Greva 48-orëshe në Greqi, e filluar mëngjesin e së martës, ka shkaktuar një bllokim total të punës në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës në rrethin e Devollit. Ndërkaq është paralizuar dhe dogana, ndërsa asnjë tregtar shqiptar nuk ka sjellë mall në Shqipëri apo e kundërta.

Bllokimi

Disa dhjetëra kamionë me targa shqiptare janë bllokuar në anën greke të kufirit, pasi nuk kanë mundur të hyjnë para grevës në Shqipëri. Por ata që duket se do ta vuajnë këtë pasojë janë me dhjetëra drejtues automjetesh, që janë vënë në radhë në tokën shqiptare në Kapshticë. Teksa policia shqiptare është njoftuar për grevën vetëm disa orë para startit të saj, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit në Kapshticë është përpjekur të marrë masa të shumta për të evituar problemet nga radhët në territorin shqiptar. Sipas Drejtorit të Kufirit në qarkun e Korçës, Ismail Elezi, mësohet se dogana e Kapshticës do të qëndrojë e mbyllur për 48 orë me radhë. Elezi iu ka kërkuar shtetasve shqiptarë, që gjatë këtyre ditëve të shmangin kalimin nëpërmjet Kapshticës për të hyrë në shtetin grek, për të mos u përballur me pritjen e pafundme në kufi. “Sipas njoftimit zyrtar të palës greke, Kapshtica do qëndrojë e bllokuar për 48 orë, ndërsa do lejohet të kalojnë vetëm kalimtarët dhe jo automjetet e tyre. Gjithashtu iu bëj me dije se edhe doganierët grekë i janë bashkuar grevës 48- orëshe të përgjithshme, që ka përfshirë Greqinë, ndaj nuk do të punohet në këtë pikë edhe gjatë të mërkurës. Iu këshillojmë udhëtarëve të zgjedhin kalimin nëpërmjet ndonjë pike tjetër kalimi, ku nuk ka të njëjtat problem, pasi jo në të gjitha pikat me Shqipërinë ka grevë”, ka theksuar për gazetën, numri një i kufirit në Kapshticë. Të enjten në mëngjes pritet të rinisë puna, por dhe të shfaqet një fluks i madh i emigrantëve që pritet të hyjnë në Greqi nëpërmjet Kapshticës. Puna në kufi është ndërprerë që në orën 06:00 minuta të mëngjesit të së mërkurës, teksa me qindra udhëtarë, më shumë se 200 automjete janë vënë në pritje për të kaluar kufirin. Udhëtarët në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë shprehen të indinjuar për këtë masë të ndërmarrë nga punonjësit grekë, pasi kjo iu ka sjellë jo pak problem atyre, përveç lodhjes së konsumuar në kufirin mes dy shteteve. Situata në Kapshticë edhe gjatë orëve të mbrëmjes të së mërkurës ka qenë e ngarkuar me radhë kilometrike, ndërsa policia kufitare ka marrë masa për të pasur situatën nën kontroll të plotë, duke shtuar dhe numrin e efektivave të saj.

Gjatë ditës së martë ka vijuar normalisht puna në doganat shqiptare dhe greke në Kakavijë dhe atë të Tri Urave, duke përpunuar pa probleme edhe fluksin më të lartë të lëvizjes në kufi të regjistruar gjatë ditëve të fundit. Sipas burimeve në Policinë Kufitare në Gjirokastër, megjithë grevën 48-orëshe, të nisur nga sindikatat greke, sërish doganierët grekë në këto pika kufitare nuk kanë krijuar probleme për lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve në të dyja anët e kufirit. Pala shqiptare në doganën e Kakavijë ka punuar me 7 sportele në hyrje, ndërkohë që ajo greke ka pasur katër sportele në dalje. Gjatë ditës së martë, nëpërmjet stacionit kufitar të Kakavijës kanë hyrë në vendin tonë rreth 7 mijë këmbësorë, ndërkohë që kanë udhëtuar në drejtim të Greqisë rreth 2 mijë persona. Ndërsa për doganën e Tri Urave, shifrat e lëvizjes në të dyja anët e kufirit kanë qenë më të ulta.

Irena Vreto

Bledar Shehu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›