Tetë politikanë nën hetim për pastrimin e 3 milionë eurove
Tiranë- Të paktën 8 zyrtarë dhe politikanë shqiptarë janë të dyshuar për pastrim parash, apo siç përcaktohet shprehimisht në ligj, pastrim të produkteve të veprës penale. Alarmi jepet nga drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, prej nga mësohet se këto raste janë kallëzuar në organet kompetente. Duke mos dhënë shumë detaje për nivelin e zyrtarëve dhe politikaneve, të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, mendohet megjithatë se ata kanë pastruar në Shqipëri shumën e tri milionë eurove. Zyrtarët e denoncuar tashmë janë duke u hetuar nga policia dhe prokuroria, ndërsa të gjitha rastet i përkasin 6-mujorit të parë të këtij vitit. Ende nuk ka të dhëna se në çfarë faze janë hetimet për këto raste, ndërsa as emrat e zyrtarëve të dyshuar për pastrim parash nuk bëhen publikë. Kreu i inteligjencës financiare, që ka si detyrë evidentimin dhe gjurmimin e transaksioneve të dyshimta, tregoi dje për televizionin “Klan” se një nga fushat kryesore ku investohen paratë e krimit është sektori i ndërtimit, apo dhe pasuritë e paluajtshme, por pa lënë mënjanë sektorë të tjerë kyç të ekonomisë. “Një nga tipologjitë është edhe investimi në fushën e ndërtimit, por ka investime në troje, kullota, pyje, pra në pasuri të paluajtshme që nuk kanë lidhje me ndërtimin. Këto para janë investuar edhe në industritë e tjera, si në ekonomi, në disa shoqëri fantazëm që përdoren vetëm për të justifikuar lëvizjen e parave dhe për t’i bërë ato sa më të dukshme dhe legale” - tha Arben Doçi. Sipas tij, këto fusha janë ndër më kryesoret që njësia e inteligjencës financiare shqiptare ka zbuluar. “Të dhënat u janë dërguar edhe subjekteve kërkuese, me qëllim që të merret prej tyre një raport i plotë mbi aktivitetin e dyshimtë për këto tipologji” - shprehet kreu i inteligjencës financiare, duke iu referuar fushave të investimit të parave të pista. Duke folur për rolin e kësaj drejtorie, Arben Doçi thotë se inteligjenca financiare ka rolin e filtrit apo amortizuesit mes agjencive të zbatimit të ligjit dhe bizneseve. “Drejtoria luan rolin e një amortizatori, ndërlidhësi ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit dhe bizneseve, për të filtruar të gjitha rastet e dyshimta për pastrim parash dhe financim të terrorizmit, si dhe për t’i analizuar ato dhe më pas për t’i kaluar tek agjencitë e zbatimit të ligjit. Mbi bazën e tyre zhvillohen hetimet penale për ndjekjen efiçente të këtyre rasteve” - thotë kreu i drejtorisë kundër pastrimit të parave. Më tej, duke folur për ndëshkueshmërinë penale të rasteve të pastrimit të parave të denoncuara nga kjo drejtori, Doçi thotë se ky proces duket sikur është spostuar. Sipas tij, gjatë viteve të shkuara ka pasur raste të ndëshkimit të të akuzuarve për pastrim parash. “Po të shohim të dhënat e gjykatave shqiptare, nuk është e vërtetë që nuk ka dënime penale për pastrim parash.