Befasim poetik nga Roland Gjoza
Vëllimi "Bukë dhe verë" "është" i rëndë. Jo vetëm nga pesha e 235 poezive që përmban, por nga trishtimi që ngjall. Autori jo në mënyrë patetike, por natyrshëm, me metafora e personifikime me varg të pamasë e të paregullt, por gjithnjë në kamzhikun e ritmit të vëzhguesit dhe të lirikut të hollë, sjell çaste "me shenjë" në historinë e viteve të fundit të demokracisë shqiptare, keqkuptimit të saj dhe faturën që, si gjithnjë, duhet ta paguajë mbajtësi i halleve, njeriu i thjeshtë. Vitet '90-të - kur u shpreh domosdoshmëria e demarkacionit me komunizmin, vitet '97 e'98 - kur Mesjeta u duk se iu rikthye vendit, të kuptuarit e sistemit të ri vetëm si rend fitimi të paskrupullt, duke përdhosur çdo vlerë kulturore të kombit, shpërfillja e njeriut-bartës të kulturës etj., të gjitha këto gjejnë hapësirë në përjetimet e poetit. Bashkëngjitur qëndrojnë dhe katastrofat vetjake të Gjozës, që pak a shumë vijnë në unison me të përgjithshmen shqiptare. Nga ky bosht temaik, që përshkon shumicën e krijimeve, pa dyshim fryma e trishtë, fjala e dhemshur do të zotërojë. Se shqiptarët jetojnë në qiell, punojnë në qiell dhe atdheun e kanë vetëm për t'u varrosur, shkruan autori në një nga krijimet e veta.
VAID HYZOTI
Me Roland Gjozën lexuesi ka njohje të hershme letrare. Libri i tij i parë poetik "Mozaik", botuar në fund të viteve '60, është pritur me entuziazëm. Pastaj botoi "Hapësirë" (1976), ku veçohet thellësia e mendimit poetik; më pas "I harruar"... Ai shkroi si poet për më shumë se 30 vite. Por Rolandi nuk i është ndarë letërsisë. Botimi i romaneve "Mëkati"(kujtoni filmin artistik "Nata", me skenar të autorit), "Zero", "Darka mistike", "Tereza për Terezën", si edhe disa vëllimeve me tregime e novela, ku veçojmë "Kolombi i rremë", "Romeo, Xhuljeta dhe errësira", shpreh më së miri këtë të vërtetë. Dhjetra skenare për filma artistikë e dokumentarë televizivë shprehin punën këmbëngulëse të autorit, hapësirën e gjerë tematike dhe pjekurinë artistike.
Po poezia? Autori "iu fsheh botimit " të saj. Dukej se vërtetohej katërcipërisht thënia e një personaliteti të kulturës sonë kombëtare se në moshën e rinisë të gjithë bëhen poetë, ndërsa të vazhdosh të shkruash më pas, do të thotë se të jesh poet i vërtetë.
Vëllimi i sapobotuar i Gjozës, është shprehës i qartë se ai mbetet poet, ndonëse i pazhurmshëm, pa vetaureolë, pa ego botimi dhe pa propagandim, ndonëse për nivelin artistik autori bën pjesë ndër krijuesit më në zë të poezisë së sotme moderne. Ndonëse çdo krijim i këtij vëllimi datohet për tematikën , frymën që sjell, konceptimin poetik, dallohet lehtë koha e të shkruarit.
KATASTROFAT NGJALLIN TRISHTIM
Vëllimi "Bukë dhe verë" "është" i rëndë. Jo vetëm nga pesha e 235 poezive që përmban, por nga trishtimi që ngjall. Autori jo në mënyrë patetike, por natyrshëm, me metafora e personifikime me varg të pamasë e të paregullt, por gjithnjë në kamzhikun e ritmit të vëzhguesit dhe të lirikut të hollë, sjell çaste "me shenjë" në historinë e viteve të fundit të demokracisë shqiptare, keqkuptimit të saj dhe faturën që, si gjithnjë, duhet ta paguajë mbajtësi i halleve, njeriu i thjeshtë. Vitet '90-të - kur u shpreh domosdoshmëria e demarkacionit me komunizmin, vitet '97 e'98 - kur Mesjeta u duk se iu rikthye vendit, të kuptuarit e sistemit të ri vetëm si rend fitimi të paskrupullt, duke përdhosur çdo vlerë kulturore të kombit, shpërfillja e njeriut-bartës të kulturës etj., të gjitha këto gjejnë hapësirë në përjetimet e poetit. Bashkëngjitur qëndrojnë dhe katastrofat vetjake të Gjozës, që pak a shumë vijnë në unison me të përgjithshmen shqiptare.
Nga ky bosht temaik, që përshkon shumicën e krijimeve, pa dyshim fryma e trishtë, fjala e dhemshur do të zotërojë. Se shqiptarët jetojnë në qiell, punojnë në qiell dhe atdheun e kanë vetëm për t'u varrosur, shkruan autori në një nga krijimet e veta.
Poezitë "Mungesat e mëdha"(Shokët e ikur në emigracion janë thjeshtë yje me dritë të marrë hua.): vini re sa natyrshëm dhe me dhimbsuri vjen metafora pikëlluese për emigrantët; " Koha në kuletë", ku nga fukarallëku, varfëria njerzit janë bërë të ligj se hanë bukë dhe "nuk lënë thërrime për pulat dhe minjtë". "Fantazi e çmendur", "Gjysmagjel prej teneqeje", " Koma", "Notre Dame", etj, janë ndër më shprehëset për gjendjen ekonomike të shqiptarëve. Detajet janë bartëse të dhimbjes që mban poeti, që ndjen ai për fëmijët, familjen e tij, shokët e më gjerë për të gjithë shoqërinë.
Ndryshimet në jetën e shqiptarëve patën(sa keq që vazhdojnë ende) faturën e tyre të tmerrshme. Krijimet "2 korrik 1990", "Poet 1991" "Kaligula', "Gra të bukura në zi" e plot të tjera, shprehin poetikisht gjendjen që kalon autori përballë katastrofave shqiptare. Dypersonalizimi i njeriut të artit, nëpërkëmbja e vlerave kulturore e vënë njeriun në pozicione të vështira për të mbijetuar. Dhe poeti me makinën "oliveti" mbi një tavolinë të rëndomtë del në rrugë dhe plotëson llotari për në Amerikë. Një çast, i trallisur nga meskiniteti i ditës, guxon dhe u reciton një poezi klientëve dhe, në çast, sheh llahtarë në sytë e të tjerëve. Se ka ardhur koha e duarëve me thonj të paprerë, që numërojnë paratë dhe nuk është koha e librit që mbart vlera shpirtërore.
Mbase prandaj edhe Rolandi, kur flasim për librin e tij, thotë se ky fakt e ka bërë që të hezitojë aq gjatë për botimin. Se ai i ka shkruajtur dhe i ka ruajtur krijimet, por sa në një fletë në një tjetër. Kështu, të botuara në një libër, ruhen më mirë, shton pastaj. Nisur nga niveli i krijimeve, besojmë se më shumë se libri, poezitë do t'i ruajë lexuesi i kujdesshëm dhe i dashuruar pas së bukurës.
THELLËSI E PËRJETIMIT ARTISTIK
Në një numër të konsiderueshëm të poezive, si një befasim artistik autori u drejtohet elementeve mistikë si modus vivendi, si një shpresë nga ku mund të marrin udhë hallet, vuajtjet dhe trishtimet e së përditshmes. Tek "Ave Maria" shkruan: "Unë jam një kishë, kur Zoti mungon". Hera-herës të duket sikur sapo ke dalë nga një meshë, ku të është ngjallur shpresa, dashuria e pakufishme për njeriun, të ngjan se shpejt po merr jetë ëndërra e ditëve të bardha. Dhe ke dëshirë të thuash një fjalë të mirë për këdo që takon të parin, të ndjesh pranë çdo njeri, si vlla, si mik të dashur. Del në rrugë dhe fillon "të prekësh" të vërtetën: dërrasat e stolit, ku do të ulesh në park, janë djegur se njerëzit s'kanë më çfarë të ngrohen; mështeknat kanë patur të njëjtin fat. Udhëve të parkut, ku dikur me një drithërimë ndjenje pëshpëritej një fjalë dashurie, tashmë kanë zenë vend ushtarët me automatikë. Çdo rrugë të duket se është mbyllur për hapin tënd të lirë. Eshtë '97, Zoti ka mërguar nga Shqipëria. Njerëzit kërkojnë të gjejnë shpëtim. Të ruajnë fëmijët e tyre në emër të jetës. Dhe e vetmja shpresë për të gjetur strehë, për t'iu fshehur Judëve Iskariotë, është të fluturosh në ëndërr, të lumturohesh në praninë e Jezusit.
Autori ka një cikël të gjërë me poezi për Korfuzin, streha e tij provizore. Por jo gjithçka shkon me mbarësi. Në Korfuz nuk është tjetër veçse një alvanos i përbuzur, nën peshën e përçmimit të doganierëve. Madje edhe poetët e famshëm grek si Homeri, Kavafis, Elitis, Ricos nuk kanë thënë të vërtetën, kur kanë shkruar se "Itaka është njësoj për të gjithë". Ndaj, veç bukurive që natyra ka dhënë pakursyer në Greqi, duke vizituar kisha, manastire dhe objekte të kulturës së lashtë, në vështrimin e tij prej shqiptari autori përafëron të pamundurën, mistiken, për të qetësuar tallazet që i brufullojnë në gjoks. Vjershat për Shën Spiridhonin, Glifallen, Pëllumbat e zinj në Korfuz, shprehim më së miri këtë ide.
Në një fshat të humbur, ku vdekjet e shumta gjymtojnë vështrimin e fëmijëve, për të lexuar librat një vajzë e vogël shkon në kishë dhe në varreza për të marrë qirinj. Pastaj qan se nuk kupton. Kur do të ketë dritë për të? Ndërkohë, poeti ndihet i rënë, i depersonalizuar, çfarë bëjnë ata që me thonj iu qepën pushtetit? Asgjë. Vetëm hartën e Shqipërisë e përthyen në portofole si një kartë krediti, në ngopje të grykësisë së tyre për para (poezia "Koma"). Dhe thamë se të duket sikur ke dalë nga mesha. Sapo ke dëgjuar De Profundis, Ave Maria ose Pater Noster. Por ç'të bëjmë përballë të vërtetave tronditëse? Mos vallë Kaligula (poezia me të njëjtën titull) do të vazhdojë të hajë njerëz dhe njerëzit të hanë bar, duke shtuar kësisoj racën e gomerëve? E prapë i drejtohemi Zotit. Mos o Zot, Ajme! Thirrori lutës është shpesh e më shpesh i pranishëm në poezitë e Gjozës. Se lutja vjen në mënyrë të natyrshme.
VLERËSIMI PËR TË BUKURËN
Poezia e Roland Gjozës është drejtpërdrejt vlerësim për të bukurën në jetë. Ajo është poezi e dashurisë së sinqertë (ndonëse temat e mirëfillta të dashurisë thuajse mungojnë). Autori pozicionohet qartë, kur fokuson çaste poetik për të përcjellë një emocion pikant estetik. Por në disa poezi, si ato për Lazgush Poradecin, kemi një mënyrë tjetër veneracioni: me leksikun lazgushian, metrin e tij autori rikrijon rreth motiveve të dy apo tri poezive të Lazgushit, jo për t'u "matur' me klasikun, por me kultin për të, kush nuk do të deshte të ishte nosit, ndonëse i vdekur, por nën ngushëllimin e vargjeve të klaskut të fjalës.
Për forcën e artit, ndikimin e tij në jetën e njerëzve, janë edhe poezitë "Portret me kalë nga Sali Shijaku", poezitë për Vangjush Mion dhe "vjeshtën" e tij të mrekullushme, se vjeshta e Mios "të provokon lindje", shkruan Gjoza teksa viziton ekspozitën me gruan e tij shtatzënë. Vetëm buzëqeshja e Mona Lizës mund të shuante një Vaterlo të tmerrshme që Luveri të mbetetej i paprekur. Ndërsa në Shqipëri duket se në këto vite ka ardhur koha "në kuletë". Asgjë për artin. Poetit i duhet që në xhep të mbajë çantën, qeskën për të blerë qepë me shqetësimin e zakonshëm "çfarë do të gatuajmë sot?"
Vëllimi "Bukë dhe verë", me një shtrirje të gjatë kohore, ka vlera të veçanta për tematikën që sjell, poezinë-kronikë, për përjetimet e thella artistike të autorit, për një stil tashmë të formuar. Që nga poezitë më të hershme e në vazhdim, Rolandi mbetet në "lëkurën" e tij, me një portret të përcaktuar krijuesi. Shkruan me varg të lirë e të parregullt, është skrupuloz për ritmin e poezive, thuajse çdo krijim është tepër i ndier dhe lirik.
Në ndërtimin e poezisë së tij kemi zakonisht dy faza: paraqitja e detajit artistik dhe më pas përjetimi rreth këtij detaji në funksion të idesë, shpesh nëpërmjet elementëve mistikë, në përngjasimin e objekteve për cilësi të ndryshme fizike që kanë.
Kjo i bën krijimet të ngjeshura në figuracion, ku kryet e vendit e zë metafora, por mjaft dendur, në përshtatje të meditimeve poetike, hasim enumeracionin. Nganjëherë, siç ndodh në poezitë për Parisin ose ndonjë tjetër, enumeracioni sikur teprohet, çka zbeh forcën artistike. Gjithësesi, për vlerat që mbart vëllimi "Bukë dhe verë" është ndër botimet më përfaqsuse të autorit dhe një arritje për poezinë e sotme shqiptare.
Për vëllime me një shtrirje të tillë kohore dhe me një numër të madh poezish, siç është ky libër i Gjozës, është standarte shprehja "libër i jetës". E vërteta është se autori vazhdon të shkruajë, të përjetojë momente poetike. Por shpresojmë që herë tjetër "ruajtja" nëpër fletë të mos ketë këtë gjatësi kohore, kur me arritjet që shihen në krijimet e tij, besojmë se lexuesi do të kërkojë prapë poezi të Roland Gjozës.
16 Maj 2009