E Diel, 1 Nëntor 2026

22 organizata të vendit dhe të huaja fushatë më 12 Qershor



Koalicioni “Bashkë kundër Trafikimit të Fëmijëve” (BKTF), i përbërë nga 22 organizata kombëtare dhe ndërkombëtare, do të organizojë fushatën e tretë sensibilizuese mbi shfrytëzimin e fëmijëve për punë dhe lypje, e cila do të nisë në datën 12 Qershor, në Ditën Ndërkombëtare kundër shfrytëzimit të fëmijëve, në Tiranë. Përmes kësaj fushate BKTF-ja, do të vazhdojë të advokojë për parandalimin e fenomenit të shfrytëzimit të fëmijëve apo trafikimit të tyre. Ky koalicion ka mbështetur politikat dhe veprimet e ndërmarrë nga qeveritë e këtyre viteve të tranzicionit në drejtim të mbrojtjes së fëmijëve. Sipas një studimi, të realizuar së fundi nga Inspektorati Shtetëror i Punës (ISHP), numri i fëmijëve që vështirësia ekonomike i ka bërë të jenë pjesë e tregut të zi të punës është rritur. Studimi ISHP-së evidenton se vitet e fundit rreth 8.2 për qind numri i fëmijëve që punojnë në bare apo restorante. Gjithashtu, studimi evidenton se përqindja më e lartë e fëmijëve që punojnë janë të përqendruar në sektorët e prodhimit, si atë të veshjeve dhe këpucëve, si dhe në sektorin e peshkimit. Në prodhimin e veshjeve pjesën më të madhe e zënë fëmijët, të cilët janë vajza nën moshën 18 vjeç, që për vitin 2007 janë 76.6 për qind, ndërsa për 2008 ka një ulje në 52.8 për qind. Fusha e dytë është peshkimi apo përpunimi i peshkut, ku konstatohet se për vitin 2007, 12 për qind e të punësuarve kanë qenë fëmijë, ndërsa për vitin 2008 rezultojnë 23.9 për qind fëmijë. Duke marrë shkas nga situata aktuale e punësimit të fëmijëve Inspektorati i Lartë Shtetëror i Punës ka premtuar përmirësim të mëtejshëm të legjislacionit përsa i përket parandalimit të punës nga fëmijët nën moshën 18 vjeç.

16 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›