E Shtunë, 31 Tetor 2026

AMC dhuron 200 pajisje elektronike dhe informatike



AMC mbështet ngritjen e laboratorit të ri të teknologjisë së informacionit në Universitetin Politeknik të Tiranës. AMC ka dhuruar 12 kompjutera për këtë laborator, që do t’u mundësojë studentëve të Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit, aplikimin praktik të të gjitha çështjeve të mësuara në teori, si dhe zhvillimin e mëtejshëm profesional të tyre, duke i bërë ata të aftë që me njohuritë e marra gjatë studimeve të tyre të përshtaten lehtësisht në mjediset ku do të punojnë. Prof. dr. Gudar Beqiraj, si ish-dekani i këtij fakulteti dhe sot kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, duke falënderuar AMC-në për këtë dhuratë, shprehet se “investimi në burimet njerëzore që do të punojnë për teknologjinë e së nesërmes, më tepër sesa ndihmë direkte për ta, është një investim për mirëqenien e të gjithë brezave që do vijnë”. Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit është krijuar në dhjetor të vitit 2007 dhe ka në përbërje të tij Departamentin e Elektronikë-Telekomunikacionit, Departamentin e Inxhinierisë Informatike dhe Qendrën për Kërkim dhe Zhvillim në Teknologjitë e Informacionit (INIMA).Ky fakultet sot numëron mbi 1300 studentë, që nesër do të jenë inxhinierët, studiuesit apo zhvilluesit e teknologjive të reja që do të përmirësojnë akoma më tej jetën e banorëve në vend në të ardhmen. AMC, e udhëhequr nga parimet e përgjegjshmërisë sociale, ka mbështetur institucione të ndryshme arsimore, shëndetësore, organizata jofitimprurëse, shkollën 9-vjeçare “7 Marsi”, shkollën e mesme “Isa Boletini Vorë”, Shoqatën e të Verbërve të Shqipërisë, maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, si dhe të tjera institucione publike, duke dhuruar më tepër se 200 pajisje elektronike dhe informatike.

16 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›