E Shtunë, 31 Tetor 2026

Befasohet Milan

Milan është befasuar në ndeshjen e parë të të tetës së finales së Ligës së Kampionëve, pasi është mposhtur në shtëpi nga Tottenham Hotspur me rezultat 0:1. Hero i skuadrës angleze ishte Peter Crouch, i cili e shënoi golin e fitores. Kurse, përballja tjetër ndërmjet Valencias dhe Schalkes ka përfunduar pa fitues. Nga Express më 15 shkurt 2011 në ora 23:19

Tottenham Hotspur e ka bërë një hap të madh përpara drejt kualifikimit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, pasi të martën mbrëma e ka mposhtur si mysafir Milanin, me rezultat 0:1, në ndeshjen e parë të të tetës së finales.

Hero i skuadrës angleze në këtë takim ishte Peter Crouch, goli i të cilit e befasoi kampionin e shtatëfishtë të Evropës.

Në fakt, Milani nuk e nisi mirë këtë takim. Italianët aplikuan lojë të zbehtë gjatë pjesës së parë, në të cilën anglezët dominuan në posedim të topit. Por, asnjëri ekip nuk e pati asnjë rast të mirë shënimi gjatë kësaj periudhe të lojës.

Por, në pjesën e dytë gjiganti italian ishte shumë më këmbëngulës në kërkim të fitores. Madje, rossonerët i krijuan disa raste të mira, por nuk i konkretizuan në mungesë të fatit. Në minutën e 50-të, Yepes për pak sa nuk e kaloi Milanin në avantazh, por gjuajtjen e tij me kokë për mrekulli e ndali portieri i Tottenhamit, Heurelho Gomes.

Portieri brazilian i ndihmoi shumë ekipin anglez në këtë takim, pasi edhe në minutën e 60-të intervenoi për mrekulli duke e ndal edhe një gjuajtje tjetër me kokë të qendërmbrojtësit të Milanit, Yepes.

Mirëpo, kur Milani përpiqej të kaloj në avantazh, Tottenham organizoi një kundërsulm si rezultat i të cilit edhe e fitoi këtë takim. Pas një kundërsulmi të shpejt të Lennon, i cili asistoi te Crouch, ky i fundit e shënoi golin e fitores dhe të vetmin në këtë takim, përkatësisht në minutën e 80-të. Deri në fund të ndeshjes, Milani e pati edhe një shans, por gjuajtjen e Robinhos nga afërsia e bllokoi një lojtarë i ekipit kundërshtarë. Në fakt, edhe Ibrahimoviç shënoi në minutat shtesë, por goli i tij u anulua.

Duhet theksuar se as tensionet nuk munguan në këtë takim. Rossonerët ankoheshin në ndarje të drejtësisë, derisa nervozizmi disa herë gjatë lojës reflektoi më së shumti te Gennaro Gattuso. Ky i fundit, pas përfundimit të ndeshjes pati një kacafytje me anëtarë të shtabit teknik të ekipit anglez, por edhe me futbollistët rezervistë.

Ndërkohë, ndeshja tjetër ndërmjet Valencias dhe Schalkes ka përfunduar me rezultat të barabartë 1:1. Spanjollët kanë kaluar të parët në avantazh prej 1:0 me golin që e ka shënuar në minutën e 17-të Soldado. Kurse, gjermanët barazuan në minutën e 64-të me golin që e ka realizuar Raul.

Liga e Kampionëve
Rezultatet

Milan – Tottenham H.0:1
Valencia – Schalke1:1

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›