Pas Kupës, edhe titullin
Triumfi i së dielës mbrëma e ka kthyer optimizmin dhe vetëbesimin te klubi i basketbollit Peja. Ekipi i Bujar Locit nuk do të ndalet me kaq. Pasi e ndali dominimin gjashtëvjeçar të Sigal Prishtinës në Kupën e Kosovës, ekipi verdh e zi synon që një gjë të tillë ta bëjë edhe në kampionat.
Pejanët e përforcuar me dyshen amerikane Damarius Bolds e Justin Dobbins, por të ndihmuar edhe nga fundori Samir Shaptahovic, kanë për qëllim që ta fitojnë edhe titullin e kampionit, i cili u takon prishtinasve në vitet e fundit.
Këtë fakt e beson edhe trajneri Bujar Loci. “Mentaliteti i Pejës gjithmonë është fitues, që të jetë e para në vend, pa marrë parasysh ekipit që e posedon. Normalisht optimizmi është shtuar pas fitores së mbrëmshme, por ne do ta harrojmë këtë lojë dhe të mendojmë për sfidat e radhës”, deklaroi Loci për Express.
Ai kërkon nga lojtarët e tij që në ndeshjet e play-offit të luajnë me motiv dhe përkushtim të njëjtë si në finale të Kupës. Ai ka filluar të mendojë qysh tash për sfidën gjysmëfinale të play-offit.
“Do të mendojmë fillimisht për ndeshjen me Bambin, para se të mendojmë për finale. Por, s’duhet fshehur asnjëherë objektivin tonë të përhershëm – titullin e kampionit”, vazhdoi ai.
Peja e fitoi Kupën e Kosovës për herë të parë paslufte. Ky ekip nuk e ka fituar titullin e kampionit prej një kohe të gjatë dhe sivjet pejanët mendojnë se ekziston mundësia ideale për ta bërë një gjë të tillë.
Prishtina shqetësohet, por e do titullin
Në anën tjetër, Sigal Prishtina ka mbetur gojëhapur me lojën që e shfaqi Peja të dielën mbrëma. Bardhekaltrit kanë arsye për t’u shqetësuar nga ky fakt, por ata besojnë në forcën e tyre. Pa marrë parasysh këtij rezultati, kampioni aktual i Kosovës e ka objektiv titullin si zakonisht.
“Humbja e mbrëmshme na ka shkaktuar një dhembje të madhe. Është për t’u shqetësuar dhe për t’u brengosur, por ne do të mundohemi ta nxjerrim energjinë tonë pozitive dhe ta tregojmë forcën në play-off. Peja ka një ekip të fortë dhe për çdo respekt, por ne si çdo vit e synojmë titullin e kampionit, pa marrë parasysh rezultatin e Kupës”, theksoi basketbollisti i Sigal Prishtinës, Granit Rugova.
Në gjysmëfinale të play-offit, e cila fillon në fundjavë, Sigal Prishtina do të ballafaqohet me Trepçën, kurse Peja me Bambin. Fituesi i këtyre dy çifteve përballet në finalen e madhe, ku edhe përcaktohet kampioni i ri i Kosovës.
Sulmohet autobusi i pejanëve
Pas ndeshjes finale të Kupës së Kosovës, autobusi i skuadrës së Pejës është sulmuar nga disa tifozë të Sigal Prishtinës. Për fat të mirë, mysafirët ishin nën përcjellje të policisë dhe asnjë person nga kontingjenti pejan nuk është lënduar.
“Diku afër bustit të ‘Bill Clintonit’ disa shikues na kanë gjuajtur me gurë. Ka xhama të thyer, por për fat nuk është lënduar asnjë lojtar. Fatmirësisht ishim nën përcjellje të policisë”, tha kapiteni i Pejës, Valdet Grapci.