Begaj: Liberalizimi i vizave me Kosovën është i vonuar, marrëveshjet e firmosura duhen zbatuar

Liberalizimi i vizave me Kosovën, situata në veri, “Ballkani i Hapur”, kanë qenë në fokus të një interviste që Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dha për RTK. Sipas tij, situata e krizës së 31 korrikut ishte vërtetë serioze, duke nënvizuar një falenderim për Kosovën dhe politikanët e saj, për zgjidhjen e konfliktit me maturi e mirëkuptim.
“Vetëm bisedimet janë garant i sigurisë së Kosovës, me mbështetjen e aleatëve strategjikë BE- SHBA, të cilat sigurojnë që sovraniteti dhe integriteti territorial dhe statusi i pavarur të mos ndryshojë. Për këtë ka mbështetjen e plotë të Shqipërisë”, tha Begaj.
Presidenti, përgjatë kësaj interviste, shtoi se nuk duhet fokusuar tek retorikat nacionaliste të Serbisë, duke shtuar se takimi që kryeministri Albin Kurti, do të zhvillojë nesër me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, dhe dialogu pas dy ditësh në Bruksel me presidentin serb Vuçiç, janë të rëndësishme, dhe se nga këto takime duhet të dilet me mesazhe të qarta.
“Nuk duhet të analizojmë retorikat e përdorura për përfitime nacionale. Eshtë një nocion i vjetëruar. Rruga euroatlantike e Kosovës është e pashmangshme. Me ndihmën e aleatëve, dialogu do të avancojë më tej. Kurti do të takojë nesër Stoltenberg dhe pasnesër do të jetë në Bruksel. Mendoj se takimet janë lajme pozitive, sepse tek të dyja do të diskutohet për sigurinë. Statusi i Kaosovës është i padiskutueshëm. Nuk do të diskutohet për teknikalitete, por për marrëveshje gjithëpërfshirëse për njohje reciproke. Takimi në NATO për të 2 palët do të jetë me mesazhe të qarta, e të plota. Nuk do pranohet dhuna se sjell mjerim. Mendoj që mesazhet do të jenë aq të qarta sa të garantohet se do të margjinalizohet e dënohet kushdo që promovon dhunën. Është e dhimbshme të pranojmë që veç faktit që Kosova është shumë e duruar për këtë marrëveshje, kemi një Serbi që nuk promovon paqen, por hiqet e duket se është neutral. Promovon destabilitet në veri dhe nuk implementon marrëveshjet. Duhet dhënë një mësim që marrëveshjet e firmosura duhen implementuar dhe se rruga e duhur është ajo e marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Pavarësisht kohës së gjatë që merr procesi, duhet të jemi të duruar. Luftën e fituam, tani duhet të ruajmë paqen”,- u shpreh Begaj.
Presidenti Begaj ka dhënë qëndrimin e tij për nismën ‘Ballkani i Hapur’. Gjatë intervistës për RTK, Begaj u shpreh se pjesë e kësaj nisme duhet të bëhen të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti ka komentuar edhe faktin që BE ende nuk ka liberalizuar vizat me Kosovën. Sipas tij, ky është akt i vonuar dhe është një e drejtë që u mohohet qytetarëve të Kosovës.
Presidenti Begaj ka komentuar edhe refuzimin e takimit nga ana e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Presidenti tha se ftesa për LDK-në është bërë që të vinte në takimin në Kuvendin e Kosovës, si të gjithë partitë e tjera. Por ata e refuzuan takimin. Donin në selinë e partisë. Kreu i Shtetit është shprehur se kishte dëshirë që t’i bashkonte të gjithë liderët e partive në një takim sëbashku, por ishte një mision i pamundur.
“Unë jam Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Erdha në Kosovë për të biseduar, si në shtëpinë time. Doja t’i mbaja këto takime aty ku është edhe tempulli politik, në Kuvendin e Kosovës. Ftesa ime ka qenë mjaft e qartë. Në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në përgjigjen e LDK, thuhet se Presidenti i Shqipërisë ishte i mirëpritur në godinën e LDK-së. Unë erdha me ftesë të Presidentes së Kosovës. Doja që takimet të bëheshin në nivelin që i takon Presidentit. Personalisht doja që takime mes partive politike shqiptare të bëheshin bashkë, jo të ndara. Nuk ia arrita dot. Mision i pamundur”, komentoi Begaj.
/rtsh.al/