Berisha: Shkollat në Shqipëri ndodhen në kushte të rënduara, pa ngrohje e ujë

Shkollat dhe arsimi kanë qenë sot pasdite në qendër të një takimi që Sali Berisha, ka zhvilluar me punonjës në fushën e edukimit. Sipas Berishës, shkollat në Shqipëri ndodhen në kushte të rënduara, pa ngrohje e ujë. Në fjalën e tij ai ka theksuar se është i papranueshëm zëvendësimi i mësuesve me militantë partiakë, që përcjellin vetëm militantizëm të një partie.
“Nëse marrim infrastrukturën, ajo përsëri është në rrënim. Sot, 90% e shkollave në Shqipëri nuk kanë ngrohje, as ato në kryeqytet, sepse kreu i Bashkisë shpenzon 10 milionë euro për të dezinformuar në media, për furça të pseudopersonalitetit të tij. 70% e shkollave nuk kanë ujë të rrjedhshëm. Kushtet e kthejnë Shqipërinë shekuj mbrapa. Shkollat në Shqipëri mbyllen njëra pas tjetrës. Janë mbyllur 620 shkolla, është dyfishuar numri i policëve, është dy- tre fishuar kriminaliteti, janë dy- trefishuar burgjet. Aksioma e njohur “hap një shkollë të mbyllësh një burg”, këtu është shndërruar në “mbyll një shkollë të hapësh një burg”. Për Rithemelimin, edukimi është një proces themelor, procesi më serioz i PD-së nesër në pushtet”, theksoi Berisha.
Sipas tij, ka pasur raste që një mësues është pushuar nga puna për një postim në Facebook.
“Nga viti 2013 deri sot, ne numërojmë 208 mijë fëmijë, nxënës, studentë më pak në shkollat tona. Kemi një rrokullisje dhe jemi dëshmitar të gjendjes reale të nxënësve tanë, gjendjes ekonomike, familjare të tyre dhe ka një thellim të tmerrshëm midis fshatit dhe qytetit. Kemi një zhvlerësim, një mospërfillje ndaj figurës së misionarit të këtij procesi, që është mësuesi. Kemi një ndryshim thelbësor në filozofinë e edukimit. Gradualisht është spostuar edukimi i bazuar në vlera, në liri, në dinjitet, atdhetari me edukimin e nënshtrimit të bazuar në rregullat, në nënshtrimin. Është vendosur një kontroll i turpshëm mbi mësuesit. Qëndrimet e tyre në mediat sociale, janë jo të pakta rastet kur ata janë pushuar apo transferuar për statuset në Facebook-un e tyre.Trajtimi i tyre material është i papranueshëm”- tha Berisha.
/rtsh.al/