Begaj: Minoriteti grek, urë e rëndësishme që na lidh me shtetin fqinj

Presidenti Bajram Begaj ka deklaruar se minoriteti grek në Shqipëri është një urë e rëndësishme që e lidh Shqipërinë me Greqinë, ashtu sikundër është një urë e rëndësishme edhe prania e komunitetit shqiptar në Greqi.
Deklaratën e tij zoti Begaj, e bëri gjatë një vizite në Finiqin, ku u takua me përfaqësues të pushtetit lokal si dhe intelektualë të spikatur të minoritetit grek.
Presidenti Begaj vizitoi Parkun Arkeologjik të Finiqit, i shoqëruar dhe nga zyrtarët e lartë vendorë.
“Finiqi ka një potencial të jashtëzakonshëm, veçanërisht turistik, që mund të ndihmojë më tej në zhvillimin e zonës. Natyra, historia dhe kultura e Finiqit, duhen shfrytëzuar në mënyrë që të krijohen mundësi zhvillimi të qëndrueshme për të gjithë zonën”, u shpreh Begaj.
Gjatë qëndrimit në Finiq, Presidenti Begaj së bashku me kryetarin e bashkisë zhvilluan dhe një takim kortezie me intelektualë të zonës.
/ rtsh.al /