E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dalipi: Në Kavajë, vlerat tona të vërteta

Nga Elton Karaj

Mesfushori Endri Dalipi mendon se Elbasanit i ka prishur punë shtyrja e javës së 13-të, pasi gjendja aktuale është shumë e mirë

Shtyrja e kampionatit nuk është pritur mirë nga kampi verdheblu, sepse futbollistët ishin përgatitur fizikisht dhe psikologjikisht për sfidën me Besën. Gjithsesi, stafi teknik duhet të bëjë tashmë një tjetër plan stërvitor për javën e ardhshme, në mes të së cilës është edhe ndeshja e kupës me Vllazninë. Elbasani i ka mbyllur llogaritë në këtë kompeticion, pasi është eliminuar, ndaj dhe pritet të aktivizojnë lojtarët e rinj, të cilët kanë luajtur më pak gjatë këtij sezoni.

Dalipi Mesfushori Endri Dalipi shprehet disi i mërzitur nga shtyrja e ndeshjes me Besën, pasi, sipas tij, ekipi ishte përgatitur mjaft mirë për ndeshjen e radhës. “Nuk është në të mirën tonë shtyrja e javës së 13-të, ndaj dhe jemi mërzitur pak. Jemi në një formë të mirë fizike dhe morale në këtë moment, që mund ta shfrytëzonim për të marrë rezultat pozitiv. Do të na duhet të presim edhe një javë për këtë takim, por jam i bindur se do të tregojmë vlerat tona më të mira.

Sa për ndeshjen e së mërkurës në Shkodër për Kupën e Shqipërisë, mendoj se do të jetë thjesht një formalitet. Elbasani është i eliminuar dhe ajo ndeshje nuk ka rëndësi, ndaj them se stafi teknik do të aktivizojë lojtarët e rinj dhe ata që nuk kanë pasur hapësirat e nevojshme deri tani, – ka thënë Endri Dalipi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›