E Diel, 1 Nëntor 2026

Begaj, ultimatum ministrit: Ndryshoni ligjin e premiove

Kthimi i peshëngritjes në elitën e sportit shqiptar, ka sjellë edhe konfliktet e para me MTKRS-në, rreth premiove që duhet të përfitojnë sportistët në rast medaljesh në arenën ndërkombëtare. Apeli i radhës nga shtanga kuqezi ka ardhur nga Kampionia e Evropës në stilin e shkëputjes, Romela Begaj, e cila ka qenë dje në një takim me ministrin Ylli Pango, ku janë vlerësuar sportistët më të mirë të vitit 2007 dhe janë ndarë shpërblimet që i takonin. Ajo ka bërë të qartë se ndarja e premiove të peshëngritësve vetëm për rezultatet e arritura në dygarësh ishte e padrejtë, pasi mohoheshin medaljet që ishin marrë në stilet e veçanta, shtytje dhe shkëputje. Në fakt, Begaj duhej të përfitonte premio për tri medalje të ndryshme, një të artë, një të argjendtë dhe një të bronztë, të siguruara në Kampionatin Evropian të pak ditëve më parë. Por sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, ajo do të shpërblehet vetëm për medaljen e argjendtë të siguruar në dygarësh. "Kemi diskutuar me ministrin Pango dhe i kemi kërkuar ndryshimin sa më parë të VKM-së për shpërblimin e sportistëve që marrin medalje në peshëngritje, pasi nuk mund të shpërblehemi vetëm për dygarëshin. Ato premio na takojnë për medaljet që kemi marrë. Çfarë do të bëj nëse nuk do të marr këtë shpërblim? Do të marr pjesë në Pekin 2008 dhe kur të kthehem do të qëndroj në shtëpi", u shpreh Begaj para mediave, duke aluduar për një braktisje të mundshme të garave ndërkombëtare pas pjesëmarrjes në Olimpiadë. Një problem i tillë është ngritur edhe disa muaj më parë nga komuniteti i shtangës, pasi sportistë të ndryshëm protestuan për mënyrën se si ishin ndarë shpërblimet, ku nuk ishin marrë parasysh renditjet në stilet individuale. Por meqë shtanga po kalonte një moment mjaft delikat rreth çështjeve të dopingut, askush nuk ua vuri veshin këtyre pretendimeve. Por menjëherë pas kthimit në podium të shtangistëve shqiptarë, drejtuesit e MTKRS-së kanë vrapuar të merrnin merita duke e quajtur një sukses të investimeve që shteti po bënte në sportin shqiptar. "Shpërblimi dhe mbështetja e 5 sportistëve më të mirë të vitit 2007 dhe trajnerëve të tyre, është një dëshmi e gjallë e përkujdesjes së shtetit ndaj kësaj elite sportive, që pa dyshim janë dhe përçuesit më të drejtpërdrejtë të politikës shqiptare sportive në arenën ndërkombëtare", u shpreh dje ministri Pango, pas ceremonisë ku u vlerësuan 5 sportistët më të mirë të vitit. Por ai e cilësoi Romela Begajn vetëm nënkampione Evrope në dygarësh, duke "harruar" ta urojë për medaljen e artë në stilin e shkëputjes, për t‘i qëndruar besnik VKM-së së vitit 2006.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›