Valbuena: Marseja humbi se mungonte kapiteni Cana
Humbja 3-1 e Olimpikut të Marsejës në shtëpi përballë Lilës, i ka hequr mundësinë skuadrës marsejeze të ngjitet menjëherë në vendin e tretë në renditje, që siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve. Vetë futbollistët e Marsejës, kanë bërë të qartë se në këtë humbje ka ndikuar edhe mungesa e Lorik Canës, kapitenit që ishte i pezulluar për këtë takim për shkak të kartonëve të verdhë që ka marrë në ndeshjet e fundit. Mesfushori sulmues, Matië Valbuena, e ka cilësuar si shumë të rëndësishme praninë e Canës në fushën e lojës, duke saktësuar se pezullimi i tij kishte dëmtuar ekipin në ndeshjen me Lilën. "Ne të gjithë e njohim Lorikun dhe ai nuk është rastësisht kapiteni ynë. Ai jep shpirtin në fushë për këtë skuadër. Ai është një person që komunikon shumë me të tjerët dhe të përçon vendosmërinë e tij. Kjo është arsyeja pse ai është shumë i rëndësishëm për këtë grup", u shpreh Valbuena, duke e vlerësuar mesfushorin shqiptar që në këtë sezon ka marrë shiritin e kapitenit nga shokët e tij. Sipas mediave franceze, mungesa e Canës ka ndikuar në fazën mbrojtëse të lojës së marsejezëve, pasi futbollisti shqiptar ishte kthyer në një qendërmbrojtës gjatë takimeve të fundit, duke mbuluar me sukses edhe këtë pozicion në fushë.