Bëhen me teatër profesional
Krahas qyteteve tjera të Kosovës, të cilat prej vitesh funksionojnë me teatro profesionale të qyteteve, edhe Mitrovica tashmë ka themeluar Teatrin e saj Profesional.
Drejtori për Kulturë Rini dhe Sport në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, Artan Osmani, pohoi se, pas shumë përpjekjeve, në qytet tani kanë filluar të respektohen vendimet e marra nga institucionet përkatëse.
Që nga viti 2006 ekziston vendimi i Kuvendi Komunal të Mitrovicës për themelimin e Teatrit Profesional të qytetit. Këtë vendim së fundmi e ka njohur edhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, e cila është zotuar për përkrahjen e themelimit dhe të funksionimit të këtij teatri.
Sipas Osmanit, deri më tani nuk janë zgjedhur strukturat përkatëse të teatrit, dhe kjo për shkak të problemeve të ndryshme politike, por edhe të njerëzve nga fusha e artit.
“Megjithatë, pas insistimit të vazhdueshëm ne si Komunë, në bashkëpunim dhe me përkrahjen e kryetarit të Komunës, kemi arritur që të ndajmë buxhetin për drejtorin e teatrit dhe për shfaqjet e teatrit për këtë vit”, thotë Osmani.
Si rrjedhojë, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka zgjedhur drejtorin e teatrit dhe ka ë themeluar Këshillin Drejtues.
“Tashmë është mbajtur mbledhja e parë me drejtorin dhe me këshillin, kështu që tani po pritet që të fillojnë edhe përgatitjet për fillimin e projektit të parë të teatrit profesional të qytetit”, sqaron Osmani.
Ndryshe, Teatri i Mitrovicës veprimtarinë e tij do ta ushtrojë në hapësirat e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”. Tash për tash teatri do të funksionojë vetëm me menaxherin dhe me zyrtarin e administratës dhe të financave, ndonëse mendohet që së shpejti realizimi i aktiviteteve të bëhet përmes projekteve të ndryshme, nga dramaturgë dhe regjisorë, por edhe nga kuadro të tjera nga fusha e teatrit, të cilët do të jenë të përfshirë në projektet përkatëse.
“Këta janë hapat e parë dhe mënyra sesi mendojmë të fillojmë me teatrin. Ndërkaq, Komuna e Mitrovicës, përkatësisht Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport, tashmë ka ndarë një fond prej 10,000 eurosh për shfaqjen e parë në teatrin e qytetit”, pohon Osmani.
Ai madje shpreson se shumë shpejtë do të fillohen edhe me përgatitjet për projektin e parë, i cili para audiencës mitrovicase mendohet të shfaqet deri në fund të këtij viti - si premierë e parë e Teatrit Profesional të qytetit të Mitrovicës.
“Tashmë janë përzgjedhur strukturat dhe pritet vetëm angazhimi i tyre, në mënyrë që të fillohet me punën për përgatitjen dhe realizimin e premierës së parë të teatrit të ri”, thotë ai.
Sipas Osmanit, në emër të Teatrit Profesional në Mitrovicë do të ftohen edhe shfaqje të regjisorëve të ndryshëm, gjegjësisht shfaqje për të cilat tashmë ka pasur interesim të publikut.
“Unë besoj fuqishëm se teatri do të rezultojë i suksesshëm. Jam i vetëdijshëm për sfidat që ai do t’i ketë në fillim, por angazhimi duhet të jetë maksimal, në mënyrë që tash e tutje të mos kemi probleme rreth funksionimit të Teatrit të Mitrovicës. E kemi mbështetjen maksimale të MKRS’së, të cilën e kemi informuar për veprimet e ndërmarra. Tashmë kemi vendosur edhe kontaktet e para me të për përkrahjen e projekteve të teatrit”, përfundon ai.
Drejtor i Teatrit Profesional është zgjedhur Mirsad Ferati, i cili deri më tani ka qenë drejtor i Qendrës së Kulturës në Mitrovicë, ndërkohë që Kpshilli Drejtues i Teatrit përbëhet nga Albana Muja, kryetare Këshillit, si dhe nga gjashtë anëtarë të tjerë: Çamëri Ceraja, Blerim Peci, Lulzim Hoti, Sabit Idrizi, Fatmir Hetemi dhe Fisnik Istrefi.