Migjeni, prijës i modernizmit
06/07/2011 Intervista/ Flet studiuesi Behar Gjoka
Ai nuk është vetëm shkrimtari që hodhi themelet e letërsisë moderne, siç edhe është thënë rëndom nëpër kaq e kaq vite, por edhe ndërlidhësi me letërsinë e hershme shqipe. Poezia dhe krijimtaria e tij janë bërë shpesh pikë referimi dhe objekt i studiuesve, por asnjëherë analiza për figurën e tij nuk ka ardhur e shteruar.
Një analizë që hedh një hap më thellë dhe shkon më tutje duket të jetë libri i ri studimor për Millosh Gjergj Nikollën, “Migjeni – prijës i modernizmit”. Me autor studiuesin Behar Gjoka, libri, që hedh një vështrim kryesisht mbi tekstet e tij, është pjesë e serisë së studimeve letrare për disa autorë dhe tekste letrare.
Jeni duke përgatitur një libër studimor për Migjenin. Ku fokusohet ky studim dhe pse vjen në këtë periudhë?
Ka disa kohë që po merrem me Migjenin, pra me leximin dhe rileximin e teksteve të tij, mbase diçka më tepër edhe me nevojën për ta rivlerësuar si autor i lënë në heshtje, veçmas në këtë periudhë, për shumë arsye, e mbi të gjitha për shkak të emërtimit të tij si poet i botës së re, formatuar kështu përpara viteve ’90 të shekullit të kaluar, por që tashmë po vlen për ta ndëshkuar. Libri, që hedh një vështrim kryesisht mbi tekstet e tij, së paku deri më tani bart titullin: Migjeni – prijës i modernizmit, padyshim që është pjesë e serisë së studimeve letrare për disa autorë dhe tekste letrare, edhe këtu përqendrohet vetëm se tek vepra letrare, poezia dhe proza e shkrimtarit. Pse në këtë periudhë, një pyetje e nevojshme. Kjo periudhë është në fakt shkasi kryesor, sepse vihet re një tendencë për ta lënë në hije, mbase në një shurdhëri të pamerituar si dëshmi artistike. Jemi në kohën që janë rikthyer Fishta, Konica, Skiroi etj., dhe pa e shpallur në opinion ka nisur gjuetia e shtrigave, pra një lexim biografik dhe tematikë i letrares së endur nga Migjeni dhe për disa autorë të tjerë të letrave shqipe.
Çfarë sillni të re me këtë botim dhe në ç’dritë të panjohur deri më tani nga publiku jepet figura e Migjenit?
Duke qenë se vetë shkrimtari mbetet i ri, së paku fizikisht, sepse u nda nga jeta në moshë fare të re, vetëm 27 vjeç, po ashtu se arti i tij, në poezi dhe prozë çeli hulli të lëvrimit modern, tipar i patejkaluar ende, mbase është një thirrje për një kthim tek e reja që përfaqëson krijimtaria e tij. Edhe këtu, siç ka ngjarë edhe me autorët e tjerë, është përqendruar vëmendja tek analiza e teksteve dhe formësimi letrar, si një lexim, rilexim dhe rivlerësim i shkrimit letrar. Mund të them pa droje se, veçmas në katër drejtime, prekim në shenja të pavëna re me parë:
Së pari: Migjeni nuk është vetëm shkrimtari që hodhi themelet e letërsisë moderne, siç edhe është thënë rëndom nëpër kaq e kaq vite, por njëherit edhe ndërlidhësi me letërsinë e hershme shqipe, si fjalësi dhe teknikë shkrimore, pra si një urë ndërlidhëse.
Së dyti: Kanga, fjalë dhe term, në fakt në shkrimin poetik të shkrimtarit, shërben si strukturim dhe formatim, si kod dhe çelës, mbase i paqëmtuar plotësisht në historiografinë e shqipes, i zbërthimit të letrares së përveçme të autorit.
Së treti: Angazhimi i dukshëm i tij, që deri më tani është shpjeguar dhe emërtuar si tip i një angazhimi me idealet e botës së re, porse nga një verifikim krejt i vëmendshëm i teksteve në poezi dhe prozë, kuptohet se angazhimi migjenian nuk është i natyrës ideologjike, por më tepër bart shenja individuale dhe letrare, pra duke u larguar përfundimisht nga shtjellat e përdorimit ideologjik të artit të autorit.
Së katërti: Prania e frymës së estetikës së Niçes, që përgjithësisht është mohuar nga ana e studimeve letrare të shqipes, në një kohë të gjatë, ndonëse është vënë re më herët nga Arshi Pipa, e prekshme në disa nga poezitë dhe prozat e shkrimtarit, por që merr një formë të plotë, si materie sidomos në vargjet Trajtat e mbinjeriut, e cila e fakton hapur këtë prirje të heshtur për kaq e kaq kohë, përbën një prekje të tabuve zyrtare, të cilat kanë qarkuar shkrimtari që ka shembur si askush tjetër, tabutë shoqërore dhe letrare.
Sa ka ndikuar jeta personale dhe qyteti i Shkodrës në formësimin artistik dhe letrar të kësaj figure? Trajtohet në këtë kënd figura e tij në studimin tuaj?
Shkodra, përpos se qyteti i lindjes, në fakt në këtë rast është vatra dhe djepi kryesor i artit të shkrimtarit, si frymë dhe mentalitet, si gjurmë dhe teknikë shkrimi, si thelb dhe materie letrare. Pa mëdyshje ka një lidhje të dukshme dhe funksionale midis jetës personale dhe qytetit të Shkodrës, si burim kryesor i frymëzimit, por ky aspekt dëshmues dhe frymues nuk është përdorur nga autori si qëllim në vetvete, por kryesisht dhe vetëm si një sfond i substancës letrare aq të larme, si kërkim dhe shenjim i pastër eksperimental letrar, qoftë në poezi, po ashtu edhe në prozën e larmishme. Në studimin e radhës, ashtu si edhe me autorët e tjerë, nuk merrem me këtë aspekt, sepse mendoj që akademizmi shqiptar i titujve të shumtë, por pa shënuar zhdërvillime shkencore, pra që anashkalon tekstet letrare duhet të marrë fund, po ashtu edhe leximi ideologjik, sociologjik dhe biografik, që mendon se hartimi i një monografie jetëshkrimore është i mjaftueshëm për të përfaqësuar një shkrimtar. Po të shtosh edhe babëzinë e trashëgimtarëve të arkivave të tyre, që duan të shesin edhe një firmë sa frëngu pulën, të zë lemeria edhe ta mendosh që të merresh me jetëshkrimin e çdo autori. Mendoj se studimet letrare, ka ardhur çasti që të ndahen nga autori, sepse vlera dhe prurja e tij është e mbërthyer në tekstet letrare, gjithnjë si një nevojë e komunikimit me tekstet letrare, aq më shumë që krijimtaria letrare e tij i përkon modernizmit si frymë dhe shprehësi artistike.
Në ç’raport e shihni Migjenin poet dhe prozator? Mendoni se Migjeni si shkrimtar dhe poet është trajtuar ashtu siç duhet dhe vepra e tij është servirur në mënyrë të drejtë dhe të plotë?
Tekstet në poezi dhe në prozë të shkrimtarit janë pjesë e verifikimit të serisë së studimeve letrare, tashmë të kundruara në një distancë të largët, shoqëruara edhe me verifikime të hollësishme, gjithnjë dhe vetëm sipas optikave teorike bashkëkohore, të cilat realisht krijojnë shanset për të hyrë në universin letrar të autorit. Në tre kohë, Migjeni i ka provuar të gjitha, është censuruar në kohën e monarkisë, është shpërdoruar duke u shpallur si poet i revolucionit në sistemin monist, e tani është lënë në heshtje dhe shurdhëri. Mjafton ky fat i veprës së tij letrare, ku hasim qartësisht përdorimin dhe shpërdorimin, uljet dhe ngritjet ndaj veprës letrare, për ta bërë të pashmangshme rivlerësimin e përvojës shkrimore të tij. Migjeni jo rastësisht ka lëvruar poezinë dhe prozën, madje të dyja në nivel të një eksperimenti të përfunduar letrar, por kahjet e lëvrimit të poezisë janë fondamentale, për autorin dhe letërsinë shqipe, pra për të shënuar edhe kulmimet e shkrimit letrar të sendërtuara prej tij, gati një shekull më parë, madje si një poetikë e freskët edhe në shekullin e ri, ku po frymojmë.
Ku keni hulumtuar për studimin tuaj? Mundet përmes tij lexuesi që paralelisht të njihet edhe me një pjesë “të fshehur” ose jo aq të njohur të krijimtarisë së Migjenit?
Hulumtimi, leximi dhe rileximi, verifikimi dhe interpretimi i kësaj dukurie letrare të përveçme është e lidhur ngushtësisht vetëm se me tekstet e tij në poezi dhe prozë, ku kjo e dyta ka pjesën letrare dhe publicistike. Po ashtu, është hedhur një vështrim edhe mbi mënyrat se si është lexuar Migjeni kohë pas kohe, ku bie në sy fakti i një leximi tematik, biografik, ideologjik dhe sociologjik, çka ka bërë që të krijohet auerola ndaj shkrimtarit, por njëherit edhe të jemi larg teksteve të tij si mënyrë shkrimi, sepse është projektuar vetëm si shkrimtar i botës së re. Prandaj, si pjesë e pandarë e hulumtimit dhe verifikimit të letrares migjeniane, ishin edhe teoritë e reja të shqyrtimit të letrares, të cilat mundësojnë analizën e tekstit dhe të formësimit letrar. Pjesë e pafshehur, por edhe e paqëmtuar kanë qenë lëvrimi i poezisë me vargëzim të matur, i pranisë së tingëllimave (soneteve) prej poetit, po ashtu lëvrimi i poezisë së natyrës etj., ndërsa në prozë lëvrimi i rrëfimit, rrëfenjave, të paqëmtuara më parë nga studimet letrare.
Si jepet Migjeni në raport me poetë, prozatorë dhe intelektualë të asaj periudhe? A ka një analizë më gjithëpërfshirëse në raport edhe me ta?
Migjeni është pjesë e shekullit të ndritshëm, pra e asaj pjese të parë të shekullit të njëzet, dhe është cekur lidhja dhe dallimi me to, por është parë disi ndryshe nga historiografia zyrtare lidhja me brezin e viteve tridhjetë, që me përjashtim të rrethanave kohore, nuk ka gjasa të ketë lidhje artistike, si frymë dhe shenjëzim. Duke e parë si lidhje kohore, pa mëdyshje Migjeni është shkrimtari më i shquar i atij harku kohor, por duke e parë si shenjë letrare, vepra e tij e ka kapërcyer kohën e tij. Verifikimi teksologjik, pra i poezisë dhe prozës së tij, përtej dobisë dhe estetikës së brendisë, nuk lë shumë hapësira për vështrime të tilla, ndonëse nëpër kapitujt e librit ka jo pak paralele me Poradecin, Fishtën, Koliqin, Kutelin etj. Tekstet e Migjenit janë të mëvetësishme, e prandaj së pari vlera e tyre, lidhet me shenjat letrare dhe estetike që përcjellin, si dhe me vendin që kanë siguruar në panteonin e letrave shqipe, ku mungesa e tyre do të sillte vyshkje të pariparueshme për shqiptimin letrar në gjuhën shqipe.