Behrami: Jam shqiptar, por fitoj si zviceran

Valon Behrami
Mesfushori tregon emocionet para përballjes.
Nuk është e lehtë, e di që edhe mund të më provokojnë
Mesfushori kosovar i Zvicrës, Valon Behrami, e pret me shumë emocione përballjen ndaj Shqipërisë. Në një prononcim për mediat zvicerane, 27-vjeçari ka thënë ndër të tjera se ai kurrë nuk mund ta mohojë origjinën. Megjithatë, nga ana tjetër, ka theksuar se të martën do të luftojë për të mposhtur Shqipërinë. Unë kurrë nuk do ta harroj nga kam ardhur. Por, ashtu si Xhaka, Xhemaili, Shaqiri dhe Mehmedi, unë luaj për Zvicrën dhe do të bëj gjithçka për të fituar të martën. Sigurisht, për ne nuk do të jetë e lehtë për tu ballafaquar me ekipin që përfaqëson origjinën tonë. Jam i ndërgjegjshëm se do të kemi edhe provokime, por unë nuk do të bie pre e tyre. Do të bëj lojën time, duke respektuar fanellën që mbaj veshur. Unë shpresoj që të përfitoj nga kjo eksperiencë shumë e veçantë. Zvicra më ka dhënë një të ardhme mua dhe familjes sime. Ndihem borxhli ndaj saj, është shprehur Behrami. Për kosovarin që luan me Napolin në Serinë A dhe që është një titullar i padiskutueshëm i përfaqësueses helvete, ka folur me superlativa edhe trajneri i kësaj të fundit, Otmar Hicfeld. Valoni po kalon një formë të shkëlqyer fizike. Ai është shumë i fortë dhe këtë e ka treguar në ndeshjen në Slloveni. Prania e tij në fushë është me të vërtetë një siguri e madhe për ne.
Të tjerët – Dje për mediat vendase janë prononcuar edhe dy kosovarët e tjerë të Kombëtares së Zvicrës, mesfushori Blerim Xhemaili dhe sulmuesi Admir Mehmedi. I pari luan për Napolin në Serinë A, ndërsa i dyti për Dinamon e Kievit në kampionatin ukrainas. Kjo ndeshje është shumë e veçantë për mua. Nuk mund ta fshehim origjinën tonë, por jemi profesionistë dhe do të japim më të mirën për fanellën që kemi zgjedhur, ka thënë Xhemaili. Ndërkohë, Mehmedi duket se pret me ankth ndeshjen. Nuk kam dëshirë të flas për këtë temë. Megjithatë, unë garantoj se nëse do të luaj, atëherë do të jap maksimumin tim. Do të jem 100% i gatshëm për ti shërbyer ekipit ku bëj pjesë, deklaroi ai.
Hicfeld
Otmar Hicfeld i druhet Shqipërisë. Trajneri i Zvicrës, në daljen e tij të radhës para mediave vendase, ka vlerësuar ekipin e De Biazit. Futbolli është një lojë e paparashikueshme. I kam përgatitur lojtarët e mi të reagojnë në mënyrën më të mirë, edhe nëse gjatë ndeshjes do të kemi ndonjë moment provokues apo dënim nga gjyqtari. Unë kam besim te skuadra dhe mendoj se do ta kalojmë Shqipërinë, por nuk duhet ta marrim lehtë. Për disa lojtarë kjo ndeshje do të jetë e mbushur me emocione. Unë kam folur me secilin prej tyre dhe pres që ata të japin më të mirën në fushë. Shqipëria është një ekip teknikisht i mirë, që luan pa frikë, ka thënë ai.FSHF
Në ndryshim nga edicionet e kaluara, kur institucioni i futbollit shqiptar i ka shpërblyer lojtarët e Kombëtares në rast rezultatesh pozitive, këtë herë pritet që premiot të mungojnë për kuqezinjtë. Burime në FSHF konfirmojnë për Panorama Sport se Komiteti Ekzekutiv nuk ka marrë ndonjë vendim përsa i përket shpërblimit që mund ti jepet Kombëtares për dy ndeshjet e para. Shqipëria fitoi ndaj Qipros 3-1 dhe tashmë do të luajë me Zvicrën. Një pikë ndaj kësaj të fundit do të thoshte objektiv i realizuar për kuqezinjtë sa i përket startit të kualifikuesve. Mirëpo, edhe pse drejtuesit e FSHF-së kanë vendosur që nuk do të ketë premio, nuk përjashtohet mundësia që të merret një vendim i dytë. Ndoshta Federata pret të shikojë njëherë paraqitjen e përfaqësueses në Zvicër.
JORGIS MEMO