E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sevilja fiton për qejf me Flamurtarin

Flamurtari-Sevilja 1-2

Sevilja erdhi në Shqipëri, luajti, fitoi, u largua, por dëshmitarët live të kësaj ngjarjeje nuk e kalojnë dot as numrin një mijë. Një ndeshje çfarëdo e Flamurtarit në kampionat do të kishte dhuruar më shumë emocione dhe do të kishte mbledhur më shumë tifozë në Qemal Stafa. Trajneri Mishel i Seviljes provoi në fushë të gjithë lojtarët e grumbulluar (mungonin 5 yjet kryesore të skuadrës), duke bërë një testim me vlera në aspektin individual. Ndërkohë, kuqezinjtë e Rubios luajtën me frikën se mos dëmtonin kundërshtarët dhe thuajse të dorëzuar para prestigjit të spanjollëve… Pas vetëm 10 minutash lojë, Flamurtari kaloi në avantazh me një gol të Muzakës, ku më shumë binte në sy shpërqendrimi apo tolerimi i mbrojtjes dhe portierit spanjoll. Gjithsesi, vlonjatët dinë të ta kthejnë nderin dhe tetë minuta më pas u dhurojnë një 11-metërsh (Bratiç pengoi Troçovskin brenda zonës). Alvaro Negredo, me një gjuajtje potente nga pika e bardhë, barazoi rezultatin. Katër minuta para fundit të pjesës së parë, Huan Torres goditi tranversën e Xhelilajt, duke sinjalizuar se në pjesën e dytë nuk do të ishin më aq pasivë në fushë. Në pjesën e dytë Sevilja bën menjëherë pesë ndryshime, duke mos rrezikuar asnjë prej lojtarëve të rëndësishëm. Alvaro Negredo, i cili u duk i pamundur për tu markuar sa herë kishte topin në zotërim, depërtoi bukur në krahun e djathtë dhe krosimi i tij në zonë u shfrytëzua maksimalisht nga Manu del Moral. 2-1 për Seviljen dhe aty u duk sikur për vendësit mezi po pritej fundi i ndeshjes.

Flamurtari    1
Sevilja    2
Golat: Muzaka 10 / Negredo 18 (P), Del Moral 51
Flamurtari (4-2-3-1): Xhelilaj (Koliçi 46), Arbri (Bishaj 76), Rajoviç, Pezo, Mici, Bratiç, Kuqi (Bregu 46), Lena (Nelaj 86), Muzaka, Soza (Telushi 58), Pepa
Trajner: Hulian Rubio
Sevilja (4-3-2-1): Palop, Navarro, Huan Torres, Horge Anduhar, Botia, Luna, Kondogbia, Troçovski, Maduro, Hoze Gomez, Negredo
U aktivizuan: Diego Lopez, Koke, Espinosa, Sisinjo, Kala, Del Moral, Diavara
Trajner: Mishel
Kartonë të verdhë: Mici 62/ Kala 75
Arbitër: Bardhyl Pashaj, R.Avdo, G.Qirici
Spektatorë: 1000

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›