E Shtunë, 31 Tetor 2026

Behrami, "jo" Lacios, tani drejt Spanjës

Valon Behrami ka refuzuar ofertën e bërë nga drejtuesit e Lacios, për të rinovuar kontratën që e lidh me klubin roman deri në vitin 2010. Mesfushori kosovar me pasaportë zvicerane nuk ka pranuar ofertën që i është bërë nga presidenti Lotito: edhe 5 vjet të tjera me bardhekaltërit dhe rrogë 600 mijë euro në sezon. Tashmë, 23-vjeçari duket shumë pranë largimit nga kryeqyteti italian dhe destinacioni më i mundshëm është Primera Division spanjolle, ndërkohë që nuk mund të "injorohen" kërkesat nga Bajerni i Mynihut në Gjermani dhe Totenhem në Angli. Lacio e vlerëson 15 milionë euro kartonin e Behramit, por mesfushori mund të shfrytëzojë nenin 17 të FIFA-s, për largim dy vjet përpara fundit të kontratës. Në këtë rast, vlera e tij do të binte ndjeshëm, pasi klubet e interesuara duhet t‘u paguajnë bardhekaltërve vetëm shumën e dy viteve rrogë, plus disa para më shumë dhe në total shifra shkon në afro 2 milionë euro.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›