E Diel, 1 Nëntor 2026

Ançeloti: Ne, në Champions, dhe Interi humb titullin

Situata e komplikuar e Milanit në këtë fund sezoni duket se nuk e shqetëson shumë Karlo Ançelotin, i mësuar me vështirësi nga më të ndryshmet te kuqezinjtë. Për të qetësuar sadopak lojtarët e tij, trajneri ka ironizuar me rivalët e përhershëm të Interit, duke u shprehur se kualifikimi i Milanit në Ligën e Kampioneve ishte i lidhur ngushtë me një fitore përballë zikaltërve. "Me 5 fitore shkojmë në Ligën e Kampioneve dhe arrijmë edhe një objektiv tjetër: nuk e lëmë Interin që të fitojë titullin kampion", u shpreh Ançeloti para mediave, duke iu referuar derbit të 4 majit, ku shpreson të kënaqë dyfish tifozerinë e skuadrës dhe të ndihmojë ish-ekipin e tij, Romën.

Trajneri i Milanit e di mirë se nuk duhet bërë asnjë gabim në ndeshjet e mbetura, pasi skuadra rrezikon të mos marrë pjesë në turneun më të preferuar gjatë vitit të ardhshëm. "Ky është një moment delikat, pasi do të luajmë një ndeshje shumë të rëndësishme. E dimë që na duhet të fitojmë 5 ndeshjet e fundit të kampionatit. I kemi dhuruar pikë kundërshtarëve në ndeshje ku kemi bërë paraqitje shumë të mira, si në ndeshjen ndaj Romës dhe Juventusit. Aktualisht po përballemi me probleme, pasi lojtarët nuk po riaftësohen nga dëmtimet. Por mendoj se me 5 fitore në ndeshjet e mbetura do të shkojmë patjetër në Ligën e Kampioneve, duke realizuar edhe një objektiv tjetër: nuk e lëmë Interin që të fitojë titullin kampion", deklaroi ai, duke qeshur para gazetarëve.

Ançeloti ka dashur të qetësojë edhe situatën, si për zërat e merkatos, ashtu edhe atë të tërheqjes së kapitenit Maldini nga futbolli i luajtur. "Për mua duhet pritur para se të deklarohet me siguri lamtumira e Maldinit. A ikën Gatuzo? Të gjitha janë zëra të pabazuara. Rino Gatuzo do të qëndrojë te Milani, ju garantoj 100%", tha ai. Më pas, biseda ka kaluar te Ronaldinjo dhe idetë mbi kombinimin e tij me Kaka. "Një zgjidhje gjendet gjithmonë. Për mua duken normale këto biseda kur mendohet për afrimin e një kampioni të madh. Në të vërtetë, kemi gjetur zgjidhje të tilla edhe në të kaluarën. Rëndësi ka dëshira e kampionëve të mëdhenj për të dhënë kontributin e tyre në të mirë të skuadrës", vijoi ai. Më pas Ançeloti ka ironizuar edhe me Kaka, duke e cilësuar si dorështrënguar kampionin brazilian. "Më në fund, pas katër muajsh, skuadrës dhe stafit i erdhi dhurata e Kaka për fitoren e "Topit të Artë". E falënderuam shumë, pasi e dimë se sa i ka kushtuar... Në fakt ai nuk është shumë bujar...". Më pas, duke folur me më shumë seriozitet për Kaka, Ançeloti ka sqaruar se dëshira e kuqezinjve është që ai të mos marrë pjesë në Olimpiadë. "Ne e njohim dëshirën e Kaka, por vazhdojmë të marrim në konsideratë idenë se do të luajmë në fazën para eliminatore të Ligës së Kampioneve. Meqenëse shpresojmë të marrim pjesë në këtë turne, Kaka nuk do të shkojë në Olimpiadë", u shpreh i prerë trajneri i Milanit.

Kuqezinjtë rrezikojnë që të mbeten jashtë zonës së Ligës së Kampioneve, pasi aktualisht nuk duhet vetëm të fitojnë ndeshjet e tyre, por edhe të shpresojnë në një hap të gabuar të Fiorentinës



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›