E Diel, 1 Nëntor 2026

Besëlidhja, në Vlorë pikë për mbijetesë

Shumë emocione, por asnjë gol. Flamurtari që nuk arrin të përfitojë për t‘u shkëputur edhe më shumë nga zona e ftohtë e klasifikimit, ndërsa nga ana tjetër Besëlidhja që ende ruan shpresa për të mbijetuar. Ose të paktën për t‘iu larguar vendit të 11-të, që do t‘i siguronte zhvillimin e një ndeshje "play-out" me ekipin e vendit të tretë në Kategorinë I. Ky është epilogu i ndeshjes së luajtur në Vlorë, ku të dyja skuadrat duket se janë kënaqur me nga 1 pikë, duke konsideruar edhe rezultatet e rivalëve direkt. Gjithsesi, rezultati nuk pasqyron realisht atë që ka ndodhur në fushë, ku bregdetarët kanë dominuar totalisht takimin, megjithatë nuk kanë mundur të shënojnë golin që do t‘u jepte 3 pikët. Ndërkohë, Besëlidhja kishte udhëtuar drejt Vlorës me synimin e qartë për të mos dalë të humbur dhe këtë e tregonte rreshtimi taktik, ku përpara portës së Koçit është krijuar një "bunker" i vërtetë. Portieri i lezhjanëve ka meritat e tij në këtë barazim 0-0, duke frenuar tentativat e panumërta të Stratit, Memës, Veliut e Brajkoviç.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›