Behrami shkon në Napoli

Valon Behrami edhe zyrtarisht është futbollist i ri i Napolit. Mesfushori kosovar e ka lënë Fiorentinën pas një viti e gjysmë të suksesshëm për t’iu bashkuar futbollistit tjetër shqiptar, Blerim Xhemajli në klubin napolitan.
Sipas medieve italiane, Behrami bashkë me shokun e skuadrës Alessandro Gamberini i kanë kushtuar Napolit rreth 9-10 milionë euro. 27 vjeçari e ka kaluar me sukses vizitën mjekësore të hënën në Romë, ndërsa shumë shpejt do ta nënshkruajë edhe kontratën dhe do t’i fillojë përgatitjet me ekipin e ri.
“Jam mjaft i kënaqur që kam arritur në një klub të madh siç është Napoli”, ka qenë i shkurtër ish futbollisti i Veronës, i Lazios dhe i West Ham Unitedit.
Ai ishte bërë njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm të klubit Viola në dy sezonet e fundit, por ndryshimet në shtabin teknik të klubit nga Firenze ndryshuan gjithçka dhe Behrami u shit përfundimisht.
Ndërkohë, trajneri i Napolit, Walter Mazzarri, i ka dhënë deklaratat e para për përforcimin e radhës.
“Behrami është lojtar me eksperiencë, është një armë më shumë për ne. Ai është i ri dhe përkundër faktit që kaloi një sezon jo fort të ndritshëm me Fiorentinën, gjithmonë ka qenë pozitiv. Mund t’i mbulojë disa pozita në mes të fushës, por edhe në krahë. Është një lojtar i dobishëm”, ka thënë Mazzarri.
Behrami, i cili pritet të nënshkruajë kontratë afatgjate me Napolin, ishte transferuar në Fiorentinë në janar të vitit 2011 nga West Hami. Sivjet ai do ta ketë mundësinë të luajë në Europa League me Napolin.
Aksidentohet Behrami
Futbollisti kosovar Valon Behrami ka pësuar një aksident trafiku të dielën mbrëma. Futbollisti i ri i Napolit po e voziste veturën e tij të tipit Ferrari, ngjyrë të bardhë, kur është përfshirë në një aksident trafiku në Firenze.
Për fat të mirë, përfaqësuesi zviceran, i cili ishte i shoqëruar në makinë, nuk ka pësuar lëndim, e as personat tjerë që ishin në veturën tjetër, me të cilën u aksidentua Behrami. Menjëherë në vend të ngjarjes kanë dalë pjesëtarët e policisë së trafikut.
Thuhet se vozitësi i veturës tjetër ka kaluar në të kuqen dhe ka bërë lëvizje të rrezikshme, duke u përplasur kështu me veturën e Behramit. Në Ferrarin e Behramit, që u dëmtua në krahun e djathtë, ishte i pranishëm edhe mesfushori i Fiorentinës, Andrea Lazzarri.