Ylli i ri i Brondbyt

Skuadra e Brondbyt nuk po kalon momente të mira në aspektin financiar. Prandaj, ekipi danez në vend se të bëjë përforcime, është përqendruar në talentet që i posedon në skuadrën e të rinjve.
Sipas ueb faqes tipsbladet.dk, gjiganti skandinav planifikon që nga sezoni i ardhshëm në ekipin e parë t’i zhvendosë disa lojtarë të rinj, ndërsa njëri prej tyre pritet të jetë edhe futbollisti i ri kosovar Riza Durmishi.
18 vjeçari nuk ka debutuar ende me ekipin e parë. Ai kishte luajtur me ekipin U-19 sezonin e kaluar, por e kishte pësuar një lëndim, që e la jashtë fushës së blertë për shumicën e sezonit. Pastaj, ai u kthye në pjesën e dytë të pranverës duke shkëlqyer.
Mbrojtësi i majtë, i cili është pjesë e ekipit U-19 të Danimarkës, është njëri prej lojtarëve më perspektivë të Brondbyt. Për këtë ka siguruar Mads Davidsen, trajner i cili e ka udhëhequr ekipin U-19 të Brondbyt sezonin e kaluar.
“Jam shumë i sigurt se ai është i gatshëm që ta nisë sezonin me ekipin e parë. Është i shkëlqyeshëm me topin, e sheh lojën më shpejt se shumica e lojtarëve të tjerë dhe ka këmbë të shpejta sa që është e vështirë ta arrish kur ai lëviz. Ai është një mbrojtës i majtë, por mund të luajë lehtësisht në fazën ofanzive në të njëjtin krahë. Në fillim të karrierës ka luajtur edhe si mesfushor ofanziv (dhjetësh klasik), kështu që ka shumë alternativa se ku ta vendosësh në fushë”, deklaroi trajneri danez.
Në anën tjetër, Durmisi - i cili karrierën e ka filluar te klubi danez SB50 ISHOJ - shpreson që të debutoj këtë vit te skuadra e Brondbyt, pjesë e së cilës është që një dekadë.
“Deri para se të lëndohem kam stërvitur me ekipin e parë të Brondbyt. Shpresoj që pas lëndimit t’i rinis stërvitjet dhe të debutoj me ekipin e parë, me të cilin deri më tani e kam zhvilluar vetëm një ndeshje miqësore. Me klubin kam kontratë deri në vitin 2013, por ka gjasa që ta vazhdoj”, ka deklaruar tetovari për Express.
Përveç Durmisit, në mesin e talenteve që mund të depërtojnë në ekipin e parë janë: Rene Joensen, Jannik Skov Hansen, Patrick Olsen, Frederik Holst, Mads Nielsen dhe Kristian Andersen
E ardhmja e Danimarkës
Në anën tjetër, Riza Durmisi konsiderohet edhe si e ardhmja e përfaqësueses daneze. Ueb faqja daneze www.indkast.dk më herët ka përpiluar një listë prej shatë futbollistëve të gjeneratës 1994 si e ardhja e futbollit danez. Në mesin e tyre është edhe mbrojtësi me prejardhje nga Tetova.
Kjo ueb faqe shkruan se ekipi kombëtar i Danimarkës duket se i ka gjetur yjet e së ardhës pas Eriksenit, Bendtnerit e Boilesenit. Sipas saj, në dekadën e fundit është bërë punë e madhe nga trajnerët e grupmoshave të reja dhe tashmë kanë dalë edhe frytet.
“Riza Durmisi është definicion i një mbrojtësi modern. Ai është jashtëzakonisht i shpejtë. Luan në krahun e majtë dhe është shumë i mirë në sulm dhe mbrojtje”, shkruan indkast.dk për tetovarin e talentuar.