“Bëhuni burra dhe merreni me kurajë humbjen në 23 qershor”

Kreu i Grupit të PD-së, Astrit Patozi flet në Kuvend për komisionin hetimor
Kreu i Grupit të PD-së, Astrit Patozi deklaroi në seancën parlamentare të djeshme se Partia Demokratike ka predispozitën absolute të mazhorancës për të mos refuzuar asnjë kërkesë të Partisë Socialiste për hetim parlamentar, por kërkesa e opozitës është kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën. “Ne nuk vendosim asnjë kusht për çështjet apo problematikën që opozita kërkon të hetojë. Problemi është se kërkesa e PS nuk është në konflikt me ne, me Partinë Demokratike, por me kushtetutën, me ligjin dhe me vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Patozi. Sipas tij, Kuvendi nuk mund të marrë atribute të institucioneve të tjera, dhe se nuk mund të ketë hetim për një çështje për të cilën ende KQZ dhe Kolegji Zgjedhor nuk e kanë thënë fjalën e fundit. Ndërkohë, nënkryetari i Partisë Demokratike theksoi se Partia Socialiste kërkon të hapë alarm të rremë se gjoja do manipulohen zgjedhjet. “Cili është pseudomeraku apo preteksti i opozitës? Sipas saj mazhoranca po prek hartën elektorale. Përgjigja jonë është e thjeshtë. Partia Demokratike nuk ka asnjë lidhje me këtë pretendim. Po të ishte në dorën dhe dëshirën e saj, sigurisht harta do të ishte krejtësisht tjetër. Po a ia vlen që të merremi me këtë? Absolutisht jo. Cdo ndryshim që ka ndodhur dhe mund të ndodhë është vetëm pasojë e Kodit, e regjistrit të gjendjes civile dhe e lëvizjeve demografike në vend. Kaq. Sepse kjo është një Shqipëri dinamike, e cila as nuk lëviz dhe as zhvillohet për shkak të interesave elektorale të Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike”, theksoi Patozi. Më pas kreu i Grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi vuri në dukje se kërkesat që vijnë nga PS-ja kanë mangësi shqetësuese ligjore, edhe pse nënvizoi se kjo nuk vjen sepse ajo nuk ka juristë të zotë. Sipas tij, “kështu, siç është shkruar, kërkesa e PS është sjellë qëllimisht që të mos miratohet. Për fat të keq, kjo nuk është hera e parë që ndodh. E njëjta skemë u zgjodh edhe me kërkesën për hetim në Ministrinë e Mbrojtjes, e cila u ndryshua pastaj për Shërbimin Informativ të Ushtrisë, por edhe në të ashtuquajturën paketë kushtetuese të Partisë Socialiste, e cila synonte thjesht dhe vetëm krijimin e një vorbulle të re në debatin politik”.
Ndër të tjera, nënkryetari i partisë Demokratike, Astrit Patozi apeloi që, “ne, si mazhorancë, mund të bëjmë gjithçka sot dhe në të ardhmen, por frikën nga humbja nuk ua heqim dot. Bëhuni burra dhe merreni me kurajë 23 qershorin! Bëhuni burra dhe thojeni që sot se e pranoni rezultatin, sido që të jetë. Fjalën tonë e keni pasur dhe e keni gjithmonë”. Në përfundim të fjalës së tij, kryetari Grupit parlamentar të PD, theksoi se nuk shkohet në zgjedhje duke trembur, në radhë të parë njerëzit e tu, me gjoja ushtrinë e ruajtjes së votës. “Një ushtri, që nuk ka fituar asnjë luftë në këto 8 vjet, jo se është e paaftë, por se luftë nuk ka pasur ndonjëherë. Nuk e ka prekur njeri votën dhe as ka ndërmend ta prekë. Është një histori që ka ndodhur vetëm në kokën e Edi Ramës dhe një justifikim që i ka shërbyer vetëm atij. Ndaj edhe ky komision nuk mund të ngrihet. Ndaj edhe ne do të fitojmë sërish më 23 qershor”, përfundoi ai.