“Komisioni për Kukësin, dëshirë e Edi Ramës për telenovela”
Ministri i Brendshëm, Flamur Noka flet në Kuvend
Ministri i Brendshëm, Flamur Noka deklaroi në Kuvend se kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor për Kukësin është një dëshirë e kryetarit të PS-së për telenovela. Sipas ministri Noka, opozita kërkon tu hedhë hi syve shqiptarëve. “Prej më shumë se dy muaj, kini filluar avazin e vjetër dhe po sulmoni pareshtur procesin zgjedhor, që në fillimet e veta për t’ i paraprirë humbjes. Madje, jo vetëm po e sulmoni, por keni marre urdhër që vetëm t’ a përbaltni sa më shumë procesin. Sigurisht që nuk është hera e parë që Edi Rama ju fut në një spirale sajesash dhe trillimesh të paqena, për t’ i përdorur si pretekste për humbjen e nesërme. Përbaltja, bllokimi, mashtrimi për manipulime të paqena ka karakterizuar përqasjen tuaj ndaj zgjedhjeve në 2007, 2009 dhe 2011, pra në të gjitha proceset, ku ju ka udhëhequr Rama. Psikoza e humbësit që ka pushtuar tërësisht kryetarin tuaj, i jep makthe të herë pas hershme dhe nuk di gjë tjetër veçse t’ ju urdhërojë të shpikni parregullsi atje ku nuk ekzistojnë, të përbaltni çdo proces dhe të bojkotoni e bllokoni ende pa filluar procesi zgjedhor. Kjo nuk është gjë tjetër veçse ngritja e alibisë për humbjen e sigurt që ju pret në 23 qershor”, deklaroi ministri Noka.
Ndërkohë ministri Noka vuri në dukje se nuk ka asnjë ndërhyrje artificiale për numrin e popullsisë, as në Kukës e as diku tjetër në vend. “Kolegë opozitarë, ju e dini shumë mirë të vërtetën si atë që është në letra edhe atë që është në realitet, dhe jo vetëm që nuk e thoni por bëni të pamundurën ta fshihni atë duke tentuar të paraqisni si të vërtetë realitetin virtual që ka Kryetari juaj. Ju jeni të sigurt dhe të qartë se, jo vetëm në qarkun e Kukësit, por në çdo qark tjetër, nuk ka asnjë ndërhyrje artificiale, nuk ka as edhe një banor”, theksoi ai.
Sipas tij, ligji i jep akses PS-PD për kontroll të procesit zgjedhor. “Ekzistojnë auditët për kontrollin e listave. Komisioni për Kukësin është një telenovelë e Ramës, pasi nuk ka ndërhyrje artificiale në Kukës. Por dhe kësaj radhe Rama ka dhënë urdhër për të cenuar procesin zgjedhor. I Bëj thirrje PS të bëhet bashkëpunuese në procesin zgjedhor”, deklaroi ministri Noka. Në përfundim ministri i Brendshëm nënvizoi se qytetarët shqiptarë janë njerëz të lirë dhe konform ligjeve shkojnë dhe banojnë ku të duan. “Edhe vetë Edi Rama për një kohë të gjatë banonte në Pezë me Dashin, por kandidonte për kryetar bashkie në Tiranë, pasi aty e deklaronte vendbanimin, edhe pse i pastrehë. Kjo është demokracia, kështu e thotë ligji. Por, ju si pinjollë të denjë të bllokmenëve këtë liri jeni mësuar të shijoni vetëm për vete dhe ju kall datën kur e shijojnë dhe të tjerët”, përfundoi ministri Noka.