Gani Ratkoceri dhe libri i tij “100 vjet pavarësi - shkrime historike e publicistike”
Dua të them edhe unë dy fjalë në promovimin e librit “100 vjet pavarësi – Shkrime historike e publicistike”, të mikut tim të kahershëm, “Mësuesit të Popullit”, Gani Demiri Ratkoceri. Për te më pat folur së pari, një kushëri imi që prehet në botën e amshuar, Rrahim Hoxha, ish inspektor arsimi në rrethin e Dragashit në vitin 1947. E kish pasur nën varësi shkollën e Breznes, rrëzë Koritnikut, ku jepte mësim djaloshi nga katundi Llugaxhi i Lipjanit. Për ato ditë, Ganiu ka shkruar në librin me kujtime “Ballafaqim me jetën” (Tiranë, 2000, f. 13): “Inspektori quhej Rrahim Hoxha nga Bicaj e Lumës. Kishte ardhur vullnetar në Kosovë në vitin 1945 për të dhënë ndihmesën në zhvillimin e arsimit e të kulturës. Me nismën e tij në vitin 1947 u hap gjimnazi i parë në Opojë me konvikt në fshatin Buçaj, afër fshatit Brezne. Drejtor i parë i këtij gjimnazi u emërua Safet Hoxha, po nga rrethi i Kukësit, shumë i përgatitur për atë kohë dhe më ndihmoi shumë edhe mua që në ditët e para kur fillova punën”.
Jam njohur me Ganiun në vitet 1956-1957 kur të dy vazhdonim mësimet në Institutin e Lartë Pedagogjik të Tiranës, unë me korespondencë e Ganiu si student i rregullt; unë për gjuhë-letërsi dhe Ganiu për histori. Patëm biseduar ndonjëherë me njëri-tjetrin.
Ndodhesha në Tiranë në vitin 1958 a 1959. Isha përbujtur te halla ime e martuar me Rifat Spahiun. Gjatë mbrëmjes Rifati më tregoi se po diskutohej për reabilitimin e Hasan Prishtinës përbaltur nga historia e kohës. I ishte dërguar një promemorie K.Q. të Partisë së Punës nga një grup intelektualësh tropojanë të indinjuar nga shfaqja e një drame kushtuar Bajram Currit, në të cilën patrioti Hasan Prishtina njehej si spiun e tradhëtar i kombit. Nxitur nga kjo promemorie, një grup intelektualësh kosovarë: prof. Zekerija Rexha, Avni Zajmi, Rexhep Shpendi, Rifat Spahiu e Gani Ratkoceri iu drejtuan me shkrim Institutit të Historisë e Filologjisë për të organizuar një diskutim shkencor për figurën e Hasan Prishtinës. Diskutimi u bë dhe aty u vendos që Hasan Prishtina të zëjë vendin e vet në historinë e popullit tonë. Pata fatin që të asistoja në njerin prej seancave dhe të dëgjoja argumentet që solli Ganiu për rolin e Hasan Prishtinës në Kryengritjen e vitit 1912. Pat folur me pasion si atdhetar i njëmendët!
Një ditë pranvere të vitit 1973 pata shkuar në shtëpinë e hallës sime, Fetijes, në Tiranë. Mbi tavolinën që ndodhej në kopshtin e shtëpisë ndodhej një dorëshkrim i daktilografuar lidhur në format libri. Me leje të mikut tim, Rifatit, që po e lexonte, e mora në dorë dhe në ballinën e tij lexova emrin e autorit, mikut tim: Gani Demiri – Ratkoceri dhe titullin e tij: Idriz Seferi. Nuk e shqyrtova, vetëm kalova nëpër sy disa faqe: ishte një monografi historike, e cila – siç ka mësuar më vonë, i ish çuar Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” në dy kopje për t’u botuar. Por fati nuk deshi që jeta dhe vepra e patriotit të Kosovës Lindore të shpalohej në ato vite. Autori, në shtator 1978, do të arrestohej i akuzuar “për veprimtari armiqësore kundër partisë e pushtetit popullor”, në të vërtetë – siç pat deklaruar Aranit Çela – arrestimi i tij ish bërë me urdhër të UDB. Atë vit eshtrat e patriotit Hasan Prishtina u kthyen në atdhe dhe u varrosën në qytetin e Kukësit, po Gani Ratkoceri nuk do të ndodhej në këte ceremoni…
Pas pesë vitesh vuajtjesh në burgjet e diktaturës (10 shtator 1978-12 maj 1983) Ganiu lirohet për të fituar më vonë edhe pafajësinë, po dy kopje të daktilografuara të monografisë Idriz Seferi, ishin dorëzuar në Shtëpinë Botuese dhe një kopje që kishte pasur në shtëpi i qenë ekzekutuar pa shenj e pa datë. Por fati e deshti që piktori Abdyrrahim Buza, në vitin 1985, t’ia kthente autorit kopjen e vetme që kish mbetur gjallë. E kish ruajtur me kujdes, por patrioti nuk mund të mbyste patriotin, sidomos kur flasim për një patriot kosovar!
Pas një periudhe bukur të gjatë që nuk e kisha takuar Ganiun, erdhi çasti të shiheshim sy më sy me te. Po koha e ndryshimeve të mëdha, për të cilat kishim menduar e kontribuar, sadopak, të dy: unë si politikan e Ganiu si anëtar i bordit drejtues të gazetës “Kosova”. Qe viti 1992. Ndodhesha në Kukës pranë familjes, kur ia behu Ganiu. U takua edhe me inspektorin e tij të dikurshëm, Rahim Hoxha. E falenderoi për ndihmën që i kish dhënë në ditët e para të mësuesisë, por burra si Ganiu nuk harrojnë nderet dhe i shpërblejnë me ndere.
Ganiu është nji kosovar i çiltër, bisedar te s’vete, i sinqertë, që gjithmonë i qesh buza, edhe pse ka bajtur shumë travaje, por mbi të gjitha është nji patriot që e do vendlindjen dhe Shqipërinë, ai nuk i ndanë. Për te ka vetëm nji atdhe, Shqipëria etnike, prandaj edhe librin, për të cilin jemi grishur në këte paraqitje, Ganiu ua ka kushtuar atdhetarëve të të gjitha kohërave që dhanë jetën për liri e pavarësi mbarëkombëtare, pse, megjithëse është gjallë, ai ka kaluar kalvarin e diktaturës, vetëm pse e donte Kosovën, vetën pse e donte Shqipërinë. E, pra, këte burrë të denjë të Kosovës, që ndoqi e po ndjek fërkimet e Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Idriz Seferit, Isa Boletinit, Ahmet Gashit, Zekeria Rexhës, e tregojnë veprat e tij se kush është: “Kryengritja shqiptare antiosmane e vitit 1912”, “Idriz Seferi dhe lëvizja kombëtare në Kosovën Juglindore”, “Rilindësi i fundit – prof. Ahmet Gashi” dhe dhjetëra artikuj kushtuar Skënderbeut, Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, Dedë Gjo Lulit, Hilë Musit, Shote Galicës, Sali Kolgecit, Mehmet Gjevorit etj.
Ndër veprat më të plotësuara të tij është monografia “Idriz Seferi” (1850-1927) e shkruar në dorë të parë në vitin 1973, ripunuar në vitet 95-96 dhe e botuar në vitin 2001. Kjo monografi po shpalohet në kuadrin e 100-vjetorit të pavarësisë për herë të dytë dhe është përfshirë në veprën 100 vjet pavarësi – shkrimi historik e publicistik. – Këte monografi e kam lnortë me kujdes dhe mund të them pa droje se është gjithsesi e plotë dhe e saktë, krahasuar me simotrat e botuara nga prof. Zekeria Cana dhe Shaban Braha, sidomos pjesa që flet për kryengritjen antiosmane të vitit1910.
Në pjesën e parë të monografisë autori ka dhënë shkurtazi jetën dhe veprimtarinë patriotike e luftarake të Idriz Seferit (1850-1927), përpjekjet e tij për të luftuar plagën e vëllavrasjes me moton “gjaku i shqiptarit asht i vlefshëm. Kemi ku ta derdhim” dhe më pas ka përshkruar pjesëmarrjen e tij në luftërat dhe betejat e viteve 1875-1877, 1880-1881, 1908-1912 kundër pushtuesve turq. Pas ngritjes së flamurit në Vlorë Kosova dhe vise të tjera shqiptare u pushtuan nga serbët, prandaj Idriz Seferi u kundërvihet edhe këtyre, si dhe bullgarëve. Ky udhëheqës trim qe burgosur dy herë në Nish, nga turqit dhe nga bullgarët. Ai udhëhoqi kryengritjen e vitit 1910 dhe qe ndër udhëheqësit e njohur të kryengritjes së vitit 1912 të prirë nga patrioti i madh Hasan Prishtina.
Pjesën kryesore të monografisë e zen Kryengritja e vitit 1910. Në këte pjesë autori ka lnorë shkaqet e shpërthimit të kryengritjes, organizimin, fillimin e saj, planin luftarak, vendosjen e forcave, pozicionimin dhe luftimet në Grykën e Kaçanikut dhe rolin e Idriz Seferit në këte betejë. Beteja në Kaçanik është çmuar nga autori si Tranofilet e Shqipërisë dhe për ta ilustruar këte ai ka sjellë dhe një seri vargjesh popullore dhe të ndonjë poeti shqiptar.
Në monografi flitet edhe për luftimet në Jezercë, Carralevë, Budakovë, Drenogllavë, Udha e Kuqe ngat Sadovinës dhe për depërtimin e ushtrisë turke në Karadak, si dhe për masat e Idriz Seferit ndaj tradhëtarve dhe për barbarizmat e ushtrisë turke në Kosovën Lindore.
Në fund autori bën analizën e shkaqeve të dështimit të kësaj kryengritje të përgjakshme e flet edhe për jehonën e saj, si dhe për rëndësinë dhe rolin e Idriz Seferit në te.
Mbi arsyet që kjo kryengritje e madhe dhe drejtuesi i saj nuk kanë pasë shumë jehonë në shtyp dhe në korrespondencën diplomatike – simbas autorit kanë qenë edhe këto:
1.- Idriz Seferi punoi dhe veproi në një nga krahinat shqiptare më të izoluara;
2.- Gjatë veprimtarisë së tij ai nuk pat pranë njerëz të shkolluar që të shënonin ngjarjet dhe aktivitetin e tij;
3.- Idriz Seferi nuk qe kalorës romantik që të shetiste nëpër Europë, përkundrazi, detyrën ndaj atdheut e ndjente jetësore, prandaj shumë herë e vuri jetën në rrezik.
Monografinë e vet Gani Demir Ratkoceri e mbyll me këto fjalë:
“Betejat e Kaçanikut, Carralevës, Jezercës, Drenogllavës, Karadakut e Moravës janë ndër luftërat më të përgjakshme të popullit tonë për liri e pavarësi. Ato i shtuan faqe të reja lavdie historisë kombëtare shqiptare, duke u bërë një burim frymëzimi për të mbrojtur atdheun nga armiqtë”.
Meritat e Gani Ratkocerit qëndrojnë në ate se ai i qëmtoi, i përshkroi dhe i vuri në shërbim të brezit të ri. i lumtë!
Me këtë rast i uroj shëndet e jetë të gjatë autorit.