Ju rrëfej masakrën e Tibetit
Sirenat ulërijnë. Dyshemeja e restorantit të vogël nis të dridhet. Klientët dëgjojnë zhurmat e motorëve dhe zhurmën e frikshme të zinxhirëve. Kërcejnë nga stolat e drunjtë e afrohen pranë dritareve, largojnë perdet tradicionale tibetiane të zbukuruara me simbole që sjellin fat të mirë. Klientët janë të moshave të ndryshme e disa janë të veshur sipas traditës tibetiane. Në fytyrat e të gjithëve vërehen shenja të forta frike. Sidomos nga gratë, sikur kinezët do i behnin nga çasti në çast e do u merrnin fëmijët. Jashtë pozicionohen mjetet e blinduara të policisë ushtarake kineze. Vërehen shumë policë me armët mbi sup. Bajonetat shkëlqejnë nën diellin e mesditës, vërejnë me ngulm të gjithë kalimtarët. Janë tibetianë e kinezë, të përzierë në masë të njëjtë. Pas disa çastesh klientët e restorantit nisin të kthehen sërish nëpër tavolina.
Janë spektatorët të frikësuar, publiku i terrorizuar i këtyre ditëve dramatike në Lhasa. Aktorët shfaqen ndryshe. Në lokal janë ulur dy të rinj. Njëri i ka flokët e gjatë dhe mban veshur një xhaketë lëkure. Tjetri mban një kapelë. Duken thuajse dy të rinj perëndimorë. Janë të vetmit që nuk kërcyen më këmbë me mbërritjen e zhurmës. Falë të rinjve të tillë e gjithë bota sot i ka kthyer sytë nga Tibeti. As Dalai Lama dhe as Partia Komuniste Kineze nuk i kishte llogaritur. Të premten e shkuar organizuan në Lhasa protesta të dhunshme. Pak ditë më parë murgjit budistë kishin nisur demonstrimet. Por këta të rinj të zemëruar përfaqësojnë një Tibet tjetër, një Tibet të ri.
Pas protestave të së premtes, këtu nuk kanë mbetur më këmbë shumë dyqane kinezësh. Zona ofron një pamje shkatërrimi total. Malet me grumbuj mbeturinash ende lëshojnë tym. Holle të tëra hotelesh janë bërë shkrumb e hi, gjysma e bankave janë grabitur, disa dyqane produktesh ushqimore janë zbrazur tërësisht nga protestuesit.
Aty pranë kalon një patrullë mjetesh të blinduara. "Na mbrojnë", thonë kinezët në krahë të rrugëve. "Nuk ua kemi frikën", thonë tibetianët. Pak qindra metra më tej, qytetarëve të Lhasës u ofrohet një spektakël ushtarak me përmasa krejt të tjera. Në një nga rrugët kryesore të qytetit kalon policia ushtarake. Një grup mjetesh të blinduara ndiqet nga rreth 200 kamionçina ushtarake të zbuluara. Mbi janë vendosur njësi të armatosura me armë automatike. Rreth 30 njerëz ndodhen në secilën kamionçinë, që e bëjnë numrin e tyre në total të kalojë shifrën gjashtëmijë. Mbi kabinën e shoferit qëndrojnë dy prek tyre të armatosur me mitraloza. Mes kolonës vërehen edhe mjete të Kryqit të Kuq, si edhe kamionë të blinduar. Menjëherë të vjen në mendje qershori i vitit 1989.
Zhang Lizhong, i zyrës së punëve të jashtme të Tibetit, nuk pranon asnjë lloj paralelizmi me masakrën e Tienanmenit. Sipas tij, trazirat e së premtes shkaktuan 13 të vrarë, por asnjë nga dora e policëve, por nga djegiet, gurët apo rrahjet: "viktima të turmës". Pohimet e tij nuk janë krejt të pavërteta. Dëmet e mëdha materiale vërtetojnë dhunën e fortë të ushtruar nga demonstruesit. Qeveria tibetiane në Indi flet për shumë më tepër të vrarë nga ana e demonstruesve. Është shumë e mundshme po t‘u referohesh mijëra policëve të armatosur rëndë. Shumë në Lhasa janë të bindur se u bë fjalë për një masakër nga ana e policisë. "Është e tmerrshme. Kanë vrarë shumë nga tanët", bërtet një tibetiane e moshuar. Gruaja gjendet në një rrugë pranë tempullit Jokhang, nga ku murgjit i dhanë jetë revoltës.
Kush do flasë me vërtetësi mbi dimensionet e represionit kinez? Sidoqoftë nuk do jenë mediat, as ato shtetëroret kineze ku censurohet çdo lajm dhe as ato perëndimoret. Të shtunën e shkuar gazetarët nuk kishin asnjë pengesë të pakapërcyeshme për të arritur në Lhasa. Bëhej fjalë veç për një leje udhëtimi burokratike, e cila në të shumtën e rasteve kontrollohet vetëm në recepsionet e hoteleve. Pra, për reporterët virtualisht nuk kishte pengesa deri në çastin kur policia kineze u kërkoi me mirësjellje të gjithë kinezëve të niseshin drejt Pekinit. Por për numrin e saktë të viktimave askush nuk mund të flasë me saktësi.
Dy nga njerëzit që kanë marrë pjesë në protestat e fundit gjenden pak ditë më pas në një lokal pranë pallatit Potala. Mbajnë atlete dhe xhupa e porosisin supë me birrë. Janë me humor të mirë: shpjegojnë se më në fund tibetianët ua bënë të ditur kinezëve çfarë janë të aftë të bëjnë. Po Dalai Lama, ç‘mendim ka për ta? "Askush nuk na vjen në ndihmë, as Zoti", thonë. Thonë se e dinë shumë mirë që Dalai Lama kërkon t‘i zgjidhë gjërat përmes rrugëve paqësore. E adhurojnë, kërkojnë me gjithë shpirt të kthehet në atdhe. Pohojnë se nuk mund të jenë ata që duhet të bashkohen me të në Indi. Duket disi e çuditshme, por që të dy përfaqësojnë rininë e Lhasës: metropolitane, e çliruar nga paragjykimet, e orientuar pa frikë drejt mirëqenies.
Tibetianët e një restoranti tjetër, apo murgjit Za dhe Ding, vënë gishtin në buzë me t‘u zënë në gojë Dalai Lamën. Nuk duan ta vënë në diskutim besnikërinë e plotë ndaj tij, edhe pse kjo konsiderohet krim nga autoritetet kineze. Të rinjtë me atlete sportive e me xhupa evropianë flasin për të në formë mjaft të shpenguar. Bëjnë menjëherë të qartë se revolta u përket vetëm atyre. Tregojnë motivet që i shtyjnë: që nuk kanë mundësi për shkollim normal, që janë të detyruar të bëjnë gjithnjë punë të rënda, ndërkohë që kinezët pasurohen gjithnjë e më shumë në kurriz të tyre. Shpjegojnë se tibetianët paguhen keq e kinezët paguhen më shumë për të njëjtat vende pune. Ankohen që një palë xhinse tani kushtojnë 70 dhe jo 30 jenë.
Gjatë këtyre ditëve murgjit tibetianë jetojnë mes dy botëve të ndryshme. Një pjesë nuk kanë folur kurrë me ndonjë të huaj, të tjerët kontaktojnë vazhdimisht me turistë perëndimorë. Sot në Tibet vërehen dy stile të ndryshme jetese, ajo e manastireve dhe ajo që po hedh hapat e para drejt globalizimit. Revolta ushqehet nga të dyja këto jetë. Por si ka të ngjarë që u shërben dy qëllimeve kaq të ndryshme? Fillimisht janë murgjit ata që hedhin hapin e parë. Demonstrojnë edhe në provinca kineze. Kanë një strategji politike të aprovuar nga Dalai Lama, i cili synon te Lojërat Olimpike dhe te trysnitë ndërkombëtare. Pastaj është zemërimi i të rinjve ai që merr situatën në dorë dhe shkakton ato trazira që po i shohim nëpër mediat e gjithë rruzullit.