Mediu: Firma e kontraktuar, brenda rregullave për demontimin mekanik
Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu ka deklaruar mbi ngjarjen tragjike të ndodhur në Gerdec, se firma e kontraktuar për të zhvilluar punimet e çmontimit në depo, ka qenë e kontraktuar nga Këshilli i Ministrave dhe se gjithçka i referohet dokumenteve të rregullta dhe është një kontrate brenda rregullave për demontimin mekanik. “Ne si ministri kemi marrë përgjegjësi vetëm për transportin e municionit. Janë dy kompani të cilat nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën ku njëra prej tyre ka qenë firma SAIC. Reparte të tilla ka në disa zona të Shqipërisë dhe fillimisht kanë qenë të pabanuara. Zonat e depove janë populluar më vonë nga banorë të shumtë. Me firmën SAIC ne kryem edhe pastrimin e bregdetit dhe nuk pati probleme. Situata është tepër shqetësuese dhe tashmë po mundohemi të qetësojmë gjithçka. Forcat e Armatosura dhe njësitë ushtarake janë të gjitha afër qendrave të banuara. Unë nuk dua të dal në përfundime, por dua të merrem me zgjidhjen e situatës”, tha ministri Mediu.