Municionet e vjetëruara të kohës moniste, një rrezik evident për Shqipërinë
Municionet e vjetëruara që i përkasin së shkuarës së diktatoriale komuniste, mbeten një rrezik i pranueshëm nga të gjithë, pasi në hapësira të ndryshme të vendit, ndodhen reparte me municione të vjetëruara dhe jashtë ç’do standardi sigurie. Të lëna pas dore prej më shumë se 17 vitesh, këto pajisje ushtarake lufte, të cilat komunistët i prodhuan me intensitet të lartë, duke shpenzuar miliona lekë që përfitoheshin nga trafiqet e drithërave dhe të produkteve të tjera që organizonte kupola komuniste, por që në fakt ishin të prodhuara nga puna vullnetare e shqiptarëve, tashmë po kthehen në një kthetër të zezë për vendin. Ndonëse, qeveria ka ndërmarrë një sërë nismash për çmontimin e këtyre pajisjeve të rrezikshme ushtarake, përsëri Shqipëria nuk është kthyer në një vend të sigurtë dhe të pastër nga mbetjet ushtarake të diktaturës enveriste, që si parim ideologjik komunist, synonte vetëm të prodhonte municione ushtarake, pavarësisht se shqiptarët vuanin për bukën e gojës dhe të rrënuar shpirtërisht nuk u mbetej gjë tjetër veçse të mbanin mbi kokë brutalitetin e eprorëve komunistë. Gjithsesi, në prag të anëtarësimit në NATO, Shqipëria duhet të ndërmarrë një ofensivë çmontimesh të të gjitha atyre municioneve të rrezikshme ushtarake, të cilat ulin shkallën e sigurisë në vend dhe nga ana tjetër mbeten një rrezik i paevitueshëm për të gjithë popullsinë, pavarësisht largësisë që mund të ketë ndërmjet reparteve me municione dhe qendrave të banimit. Ngjarja në Gërdec, përvec solidaritetit që shfaqën një sërë shtetesh të huaja, duhet të shërbejë edhe si një mësim për afirmimin dhe kontributin që duhet të japë ç’do vend anëtarë në NATO, në mënyrë që vendi ynë të bëhet pjesë e Aleancës me të drejta të plota dhe pa mbetje të së shkuarës komuniste, të cilat i ka përbuzur ç’do vend që ka përjetuar vite të tmerrshme avanguarditeti komunist sipas boshtit fatal, Stalinist-Leninist-Enverist, që nuk sollën gjë tjetër veçse tmerre dhe vuajtje pa fund për të gjithë popullsinë që ra pre e drejtimit të qenieve çnjerëzore. Kësisoj, edhe kryeministri Berisha deklaroi dje se ngjarja e ndodhur të shtunën në fshatin Gërdec “dëshmon një pasiguri për municionet e vjetëruara”. “Më duhet të them se ngjarje të tilla kanë ndodhur edhe në vende anetare të NATO, ky është një aksident i rëndë në një proces të një kompanie të profilit të demolimit për të shkatërruar municionet”, tha Berisha. Kryeministri vuri në dukje se “mund të qartësoj që eksplozioni ka ndodhur brenda fabrikës, aksidente të tilla u kanë ndodhur edhe vendeve anëtare të NATO, vende shumë herë të modernizuara. Shqipëria duhet të kërkojë një rrugë alternative për likuidimin e sasive kolosale të municioneve që disponon”. Përsa i takon shkakut të kësaj ngjarjeje, kreu i qeverisë vuri në dukje se “a ishte gabim njerëzor, eksplozion nga vjetërsia e municioni, apo aksident, shpresoj se mund të merret vesh, pasi një pjesë e punëtorëve që kanë qenë aty, kanë shpëtuar dhe kanë ikur”. Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, Kryeministri Berisha tha se “nuk ka ndodhur vetëm në Sllovaki, por edhe në vende të tjera, fatkeqësia është te dera për Shqipërinë, municioni përbën një problem madhor, me të cilin ne duhet të përshpejtojmë të gjitha ritmet”.