E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeta "ndryshe" e zotit Rosi

I pesti në garën e "MotoGp", të zhvilluar në Katar, problemet me policinë tatimore, dashurinë... A është akoma Valentino Rosi idhulli i të gjithëve, apo popullariteti i tij po bie ngadalë, njëlloj si "Yamaha" e tij? Përgjigjja është po, sepse pavarësisht asaj që po ndodh, ai di ta tregojë se është dhe do të ngelet gjithmonë më i miri. 2005 ishte viti i fundit kur "Doktori", ashtu siç e njohin të gjithë, do të koleksiononte titullin e shtatë botëror. Atëherë ishte vetëm 26 vjeç dhe të gjithë nisën ta quanin "mbreti i të çmendurve". Në fakt, kampioni nga Tavullia dukej se kishte lindur mbi motor. Ishte vetëm dy vjeç teksa qëndronte hipur në një motor, në një fotografi që në familjen Rosi ruhet me kujdes. Kur i ati e kishte pyetur se çfarë dëshironte të bëhej kur të rritej, ai me pafajësinë e një fëmijë i ishte përgjigjur: "pilot". Ishte pikërisht i ati që i mësoi abc-në e motorëve, duke e mbajtur gjithmonë pas vetes. Ishte pikërisht ai që i mësoi që për të ecur më shpejt se të tjerët në fillim duhej të mësonte të frenonte, i duhej të mësonte se fuqinë dhe dëshirën për të fituar mbi motor nuk ta jep benzina, por ajo çfarë ke në zemër, se duhet alegri, aventurë dhe shpirti rebel i Apenineve, dëshira për të qenë dhe për të bërë çmendurira. E kështu dalëngadalë Vale do të bëhej "mbreti i të çmendurve", që do të ecte pa frikë me treqind në orë dhe do të linte pas të gjithë ata që do të donin ta frenonin. Ndryshe nga ata, Valentino ndjente gjithçka, trajektoret, aerodinamikën, peshën e motorit që zvogëlohej në çdo xhiro, serbatorin që boshatisej, apo gomat që konsumoheshin. Jashtë pistës, në jetën e përditshme, Valentino është gjumash i madh. Ndoshta gjumi i shërben për t‘u çliruar nga i gjithë tensioni para një gare, ndërsa kur është zgjuar i pëlqen të shëtisë me "Porsche" së bashku me miqtë e tij. Nuk ka asnjë asistente apo sekretare, disa telefonata dhe miku i tij Uçio, shok i ngushtë i fëmijërisë, ose më mirë një vëlla. I pëlqen të hajë vonë, të shijojë peshkun e zgarës apo makaronat me salcë. Asnjë cigare apo gllënjkë alkooli. Nuk i intereson shumë të bëjë shopping, apo të shohë televizor, mjaftojnë xhinset dhe bluzat e thjeshta. Pas ndarjes me Adrianën, asnjë martesë në dukje. I pëlqen deti, të bëjë palestër, të bëjë joga, pastaj të flejë dhe të presë ditën e re. Dera e vogël e një shtëpie të madhe hapet përgjysmë, ndërsa në sfond duket fytyra engjëllore e shtatë herë kampionit të botës, Valentino Rosi. Dy karrige të vogla dhe një tavolinë e mbushur plot me kaska dhe stema janë ato që të bien menjëherë në sy sapo futesh brenda.

Le ta nisim bisedën kështu: Rosi ngrihet në mëngjes...

Nuk ngrihem asnjëherë në mëngjes, sepse më pëlqen të fle deri vonë. Zgjohem gjithmonë pas orës 12:00.

Po mirë atëherë, por kur zgjohet, çfarë bën në fillim?

Ndez radion ose vendos një cd për të dëgjuar muzikë. Nuk mundem të qëndroj dot pa të. Por para radios pi kafenë, sepse përndryshe, edhe nëse do të hapja sytë, do të isha akoma në gjumë.

Po televizori?

Fikur, nuk shoh thuajse kurrë në mëngjes.

Kurrë?

Tani, shoh pak kartonët Simpsons dhe ndonjëherë edhe sport.

Pasi pini kafenë, cilën këngë do të donit të dëgjonit?

"Të jap maksimumin".

...që ka lidhje vetëm me shpejtësinë?

Jo vetëm. Më pëlqen kjo frazë. Më mirë të rrezikosh se sa të bëhesh monoton me ato që shkruhen vazhdimisht nëpër gazeta për ty. Është gjithmonë më mirë nëse rrezikon.

Po tjetër kë do të donit të dëgjonit?

Vasko Rosin dhe Françesko de Gregorin, Nirvanat dhe Rem. Më pëlqejnë, sepse grupet e huaja ndonjëherë bëjnë muzikë rok shumë të bukur, por kanë tekste këngësh melankolike, por unë shyqyr Zotit nuk jam i tillë.

Flasim pak për shpejtësinë?

Shpejtësia është njëlloj si droga. Të përfshin. Kur eci shpejt, ndiej një kënaqësi të veçantë.

Kënaqeni më shumë kur kaloni në rrugë të drejtë me treqind në orë, apo kur kaloni bukur një kthesë?

Të kalosh bukur në kthesë pa bërë gabime është një art më vete, është njëlloj si të pikturosh një pikturë të bukur, apo të kompozosh një këngë të bukur. Pastaj, me shpejtësinë mësohesh dhe kur ecën me 300 në orë në një pjesë të drejtë nuk të bën më përshtypje.

Si është e mundur që Rosi i mendon gjithmonë me kujdes gjërat që duhet të bëjë: para, fitore, adhurim, famë? Nëse dikush tjetër do t‘i kishte të gjitha këto, do të ishte bërë mendjemadh?

Për mua kjo nuk ka qenë kurrë problem. Dua të them nuk ka qenë e vështirë, sepse mua më pëlqen të bëj gjithmonë të njëjtat gjëra. Më pëlqen të argëtohem. E meqenëse argëtohem duke ndenjur me miqtë e mi e duke bërë rrëmujë, nuk më duhet asgjë tjetër.

Çfarë ideje ka Valentino për brezin e tij?

E vështirë të flasësh me përgjithësime, ose më mirë nuk është e drejtë. Shumë thonë se jemi brezi i humbur. Por unë jam i bindur se ka shumë të tjerë me të cilët duhet të krenohemi. Megjithatë, për hir të së vërtetës, niveli mesatar nuk është kushedi se çfarë.

Kjo e ka një arsye, apo jo?

Ndoshta sepse dikujt i pëlqen t‘i organizojë gjërat në mënyrë që të rinjtë të kenë njohje të madhe rreth gjërave të jetës dhe botës në përgjithësi.

Televizori shpesh është një qetësues i mirë për mendjen.

Ndonjëherë po. Megjithatë jam i mendimit se në shumë raste të tjera shërben si një model i keq që të rinjtë imitojnë.

Flasim pak për mitet. Milo Manara e vizaton Rosin si një personazh të filmave vizatimorë, të cilit ai i kërkon "të takojë" tre personazhe, ku i pari është Xhim Morrison. Përse?

Xhim është një njeri i madh, por të rinjtë e moshës time nuk e kanë njohur dhe jetuar drejtpërdrejt. Megjithatë, kur dëgjon ndonjë cd të "The Doors", i kuptoj më mirë ato emocione. Jim Morrison ka qenë një poet, një artist, një transgresiv që përfundoi në atë mënyrë.

"Light my fire". Valentino adhuron vitet ‘70...

Më vjen pak keq që nuk i kam jetuar. Nga ajo që kam kuptuar, atëherë kishte më shumë ide, më shumë liri. Pastaj ishin edhe "The Doors", por edhe "Pink Floyd".

"Takimi" i dytë është me Steve McQueen?

Një gjeni. Ishte aktor, por në të vërtetë kishte një zemër piloti. Ishte një pilot i vërtetë, që thoshte shpesh: Jeta është të ecësh dhe në disa vende të caktuara të qëndrosh për të pritur një tjetër garë, një tjetër sfidë. A mundet që një njeri kështu të mos jetë miti im?

Rosi "takon" edhe Aleksandrin e Madh?

Po, sepse dikush më ka thënë se i ngjaj paksa. Edhe në film prandaj kam dëshirë të madhe "ta takoj", ta njoh dhe të bisedoj pak me të.

Flasim pak për minutat tuaja para garës. Si funksionon ai zakon kaq i ngjashëm me atë të toreadori?

Është një rit, por nuk është kurrë i njëjti në vetvete. Varet nga mënyra se si ecën motori. Megjithatë, në ato tridhjetë minuta përjetoj gjithmonë emocione fantastike, jam i eksituar, sepse dua të eci më shpejt se të tjerët, pra dua të fitoj. Është një ndjenjë e çuditshme. E ndiej veten të fuqishëm, por njëkohësisht përpiqem të ruaj edhe qetësinë, sepse në pistë kjo është e domosdoshme, ashtu si edhe mendja e kthjellët.

Po problemet me zemrën? Keni pak që jeni ndarë nga e fejuara prej shumë kohësh, Ariana...

Unë gjithmonë preferoj të mos flas për këtë argument. Megjithatë mund t‘ju them diçka: dashuria të bën të ndihesh më i qetë. Është një frazë e thjeshtë, por kështu është e vërteta.

Po filmi juaj i preferuar?

"Blues Brothers", gjithmonë më ka pëlqyer. Ma heq mendjen ai film. Qesh si i çmendur sa herë që e shikoj, por edhe vëllezërit Belushi janë vërtet fenomenalë në atë film. E kam parë me mijëra herë atë film dhe sa herë që jam i mërzitur dhe dua të qesh nuk nguroj ta shoh.

Po përveç "Blues Brother"?

Më pëlqen "Gladiatori". Në fund kam qarë si një fëmijë. Ishte vërtet i mrekullueshëm, një prodhim i arrirë kinematografik, që nuk do më hiqet kurrë nga mendja.

A ka Rosi ndonjë dëshirë që do ta plotësojë patjetër, pavarësisht rreziqeve?

Sigurisht, kam një dëshirë të çmendur që së bashku me një mikun tim të nisemi në një udhëtim me motor për rreth tre javë dhe për ta bërë këtë nuk do të më ndalojë asgjë. Dua vetëm të gjej kohën e duhur.

Po tjetër çfarë do të kishit qejf të bënit?

Do doja të mësoja më shumë gjëra. Të lexoja më shumë. Me pak fjalë, të thellohesha pak më shumë në jetë. Këtë e ndiej si detyrim brenda meje. Edhe pse gjithmonë brenda teje ka diçka që doje ta kishte bërë, por që për arsye nga më të ndryshmet nuk e ke arritur.

A është Vale Rosi një njeri kreativ?

Po, sepse mendja ime nuk qëndron asnjëherë në të njëjtin vend. Gjithmonë kam dëshirë të gjej ide të reja, sfida të reja. Nuk mund të qëndroj në një vend, përndryshe çmendem. Dua të eksperimentoj, të mësoj, dua të mësoj të rritem.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›