E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF futbolli gjithçka ONLINE

02/08/2011  Nga ky sezon e në vazhdim futbolli informatizohet. Gjithçka në kohë reale për të mirën e garës

Gjithçka në kohë reale në sezonin 2011-2012. Federata e Futbolit në bashkëpunim me FIFA-n do të implementojnë këtë sezon një sistem informatik që ndeshjet dhe raportet e të gjithë hallkave të futbollit të jenë në kohë reale pa pritur ditë për të marrë një përgjigje për një ngjarje të ndodhur në një fushë futbolli, apo thjesht një sfidë në një kampionat të caktuar. Kështu nga java e parë e deri tek e fundit gjithçka do të detajohet nëpërmjet kompjuterit. Në këtë linjë në Federatën Shqiptare te Futbollit ka përfunduar faza e dytë e prezantimit për Projektin e FIFA-s, Sistem-Menaxhim ONLINE i ndeshjeve të futbollit. Shoqëria kroate “Analyticom” e cila është shpallur fituese nga FIFA ka bërë më parë prezantimin e këtij programi dhe dje e ka detajuar atë përballë punonjësve të Federatës Shqiptare të Futbollit të cilët do të jenë përgjegjësit kryesorë për zbatimin, modifikimin dhe kontrollin e këtij programi. Në bazë të këtij projekti të gjitha regjistrimet, federimet e lojtarëve do të jenë ONLINE në themel të një “database” që do t’i bashkëngjitet të gjithë sistemit kompjuterik të FSHF-së. Protokollet, Raporti i Delegatit dhe Vëzhguesit për ndeshjet e kampionateve të ndryshme do të jenë të gjitha ONLINE. Nëpërmjet “UEB Site të Federatës Shqiptare të Futbollit mund të lexohen lehtësisht skedat e ndeshjeve për të marrë në mënyrë të menjëhershme çdo informacion të kërkuar.

Me realizimin e këtij projekti gjithçka në futbollin tonë kalon në një sistem bashkëkohor ONLINE dhe me standardet më të larta në përdorimin e sotëm. Të mërkurën në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit do të jetë seminari konkret me përfaqësuesit e Ligës Superiore dhe te Kategotisë së Parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›