Bekam: Faleminderit Erikson!
01/04/2005 Kapiteni i Anglisë, Dejvid Bekam, ka falenderuar trajnerin e skuadrës, Sven Goran Erikson, për vendosmërinë dhe besimin e treguar nga suedezi, kundrejt tij. Kështu, besimin e madh, me të cilin Erikson ka veshur kapitenin Bekam, ky i fundit e ka shlyer më së miri. “Trajneri ynë sillet po njësoj me çdo lojtar dhe jo vetëm me mua si kapiteni i skuadrës, ka thënë Bekam. Megjithatë, unë përherë i kam përshëndetur vlerësimet e tij. Nuk është e lehtë që t’i përballosh kritikat, sepse ato gjithmonë do të shoqërojnë në botën e futbollit, por sidoqoftë, tashmë jam mësuar me të tilla spekullime. Loja ime në takimin kundër Irlandës së Veriut, ndoshta nuk ka qenë ndër më të mirat, por ndryshimet më pozitive erdhën në ‘Sent Xhejms Park’. Unë mendoj se ndonjëherë vlen më shumë ecuria e grupit në një skuadër, e cila kërkon përherë fitoren. Tashmë ka ardhur koha që t’i përballosh kritikat e tepruara dhe me një buzëqeshje në fytyrë, duhet të vazhdosh të bësh detyrën tënde gjithmonë e më mirë”.