E Diel, 1 Nëntor 2026

Brazili “vjedh” Uruguajin

01/04/2005  Në stadiumin “Centenario”, skuadra e Parreirës arrin të fitojë një pikë me shumë vuajtje

Mesfushori i Juventusit në kampionatin italian, Emerson, shënoi golin e barazimit për Brazilin, në minutën e 68-të të takimit kundër Uruguajit, duke u dhënë kampionëve të botës një pikë të rëndësishme në rrugën drejt Botërorit 2006. Përballë 65 mijë tifozëve të zjarrtë, Uruguaji luajti fort dhe e vuri nën presion Brazilin që në fillim. Goli i avantazhit për vendasit erdhi në minutën e 48-të, kur Diego Forlan, i cili luan në Spanjë me Vilarealin, u tregua i zoti në shrytëzimin e një grushtimi të Didës, pas një goditje dënimi ekzekutuar nga Olivera. Megjithatë, skuadra e drejtuar nga Horge Fosati nuk u tregua në lartësinë e duhur në mbrotje dhe si ka ndodhur shpesh gjatë këtyyre eleminatoreve, nuk arriti ta ruante avantazhin e çmuar. Pas një rrëmuje në zonën uruguajane, Emerson arriti të gjente hapësirën e duhur për të shënuar golin e barazimit, që la të zhgënjyer për të disatën herë tifozerinë vendase. “Ishte me të vërtetë trishtuese se si e hodhëm poshtë këtë fitore. Ne patëm dy mundësi për ta pastruar zonën në rastin e golit, por nuk mundëm dhe i falëm golin Brazilit. Jemi të zhgënjyer, sepse për të disatën herë na ikën fitorja nga duart, pikërisht kur dukej se kishte mbaruar”, u shpreh portieri i Uruguajit, Sebastian Vieira. Ndërkohë, trajneri i Brazilit, Karlos Parreira, ishte më i kënaqur me rezultatin e arritur: “Ndeshja ishte me të vërtetë emocionuese. Ne luajtëm më mirë në pjesën e dytë, por mendoj se barazimi ishte rezultati më i drejtë. Kemi kaluar një ndeshje të ashpër dhe jam optimist për të ardhmen”. Me këtë rezultat, Brazili mban vendin e dytë në grupin e Amerikës Latine, me 24 pikë, ndërsa Uruguaji ngjitet në kuotën e 16 pikëve, kur ka mbetur edhe gjysma e rrugës drejt Botërorit 2006. Uruguaji mban vendin e pestë, që përballet me skuadrën më të mirë të Oqeanisë, por shpresa e dy herë kampionëve të botës është që të kapet njëri nga 4 vendet e para, që do të thotë kualifikim i drejtpërdrejtë në Botëror.

Emerson pëlqen Realin

Interesimi i Realit të Madridit për brazilianin e Juventusit, Emerson, nuk është një lajm i ri, sepse “galaktikët” kanë kohë që po i bëjnë presion klubit bardhezi dhe vetë lojtarit për të hapur një tratativë. Megjithatë, befasuese është deklarata e vetë mesfushorit brazilian, në përfundim të ndeshjes midis Uruguajit e Brazilit, i cili pranon se po mendon për një kalim në Madrid. “Si çdo futbollist tjetër, do të më pëlqente shumë të luaja te Reali i Madridit, për gjithçka që përfaqëson ky klub në futbollin botëror”, deklaron Emerson, i cili ka lëshuar një intervistë për gazetën spanjolle “Marça”. Braziliani ndodhet vetëm prej një viti në radhët e Juventusit dhe para largimit nga Roma, ishte shumë afër Realit, por u bind nga drejtuesit e Juventusit të zgjidhte Torinon, duke zemëruar edhe presidentin e Romës, Franko Sensi, i cili nuk dëshironte t’ia shiste një skuadre rivale dhe aq më shumë, armiqve juventinë. Tani, emri i Emersonit lidhet përsëri me Spanjën, megjithëse nuk dihet se sa të vërteta janë zbulimet e shtypit spanjoll. Në deklaratën e tij, braziliani paralajmëron presidentin madrilen Perez: “Tani u takon dy klubeve të gjejnë një marrëveshje që të kënaqë të gjitha palët. Unë kam një kontratë me Juventusin dhe e shoh të vështirë transferimin tim që këtë verë, por do të varet nga bisedimet e drejtuesve. Unë nuk kam asnjë problem, sepse ndihem mirë te Juventusi, por nuk do të më vinte keq të luaja në Madrid”. Lajmi vjen nga Brazili, ku Emerson ka qenë i grumbulluar me Kombëtaren, ndaj gjithçka do të verifikohet më saktësisht ditët e ardhshme, por përveç mediave spanjolle, të famshme për “bombat” e tyre, lajmin e konfirmojnë edhe mediat braziliane. Mesfushori i Brazilit ka qenë vendimtar për Kombëtaren e tij kundër Uruguajit, sepse ka shënuar golin e barazimit, në ndeshjen që përfundoi 1 : 1, zhvilluar në Montevideo. Fjalët e ish-romanistit tingëllojnë krejt ndryshe nga ato të ditëve të fundit të Zambrotës e Bufonit, të cilët i kanë prerë rrugën çdo transferimi jashtë Italisë dhe kanë deklaruar besnikërinë e tyre ndaj Juventusit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›