E Diel, 1 Nëntor 2026

Juventusi “blindon” Bufonin

01/04/2005  Vetëm pak ditë pas përhapjes së lajmit rreth një interesimi mjaft konkret të Realit në lidhje me portierin e Kombëtares italiane, Xhanluixhi Bufon, vjen edhe reagimi i menjëhershëm i Juventusit. Klubi bardhezi ka depozituar në Ligën Italiane kontratën e re, që e lidh Bufonin me Juventusin deri në vitin 2010, praktikisht, një kontratë e përjetshme. Në këtë mënyrë, shuhet ëndrra e Florentino Perezit për të bërë “galaktik” një nga portierët më të mirë në botë. Pak ditë më parë, Juventusi kishte refuzuar ofertën prej 30 milionë eurosh, të ardhur nga Madridi, ndërsa tani vjen edhe refuzimi përfundimtar. Në këtë mënyrë, Juventusi kërkon të evitojë përsëritjen e historisë të Zinedin Zidanit, megjithëse vështirë se Reali do të dorëzohet kaq shpejt. Bufon ka kaluar te Juventusi në verë të vitit 2001, nga Parma, në këmbim të 105 miliardë liretash. Me bluzën bardhezi ka fituar 2 tituj kampionë dhe 2 Superkupa Italie, ndërsa tani synon të fitojë Ligën e Kampioneve, trofe që i mungon Juventusit prej një kohe të gjatë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›