Van Nistelroi rigjen golin
01/04/2005 Sulmuesi i përfaqësueses holandeze, Rud Van Nistelroi, ka marrë frymë lirisht, kur ka shënuar golin e parë, pas periudhës së gjatë të rekuperimit, nga dëmtimi i pësuar në tendinën e Akilit. Ylli i Mançester Junajtid ka realizuar golin e dytë, në sfidën e zhvilluar kundër Armenisë, në Eindhoven. Me këtë fitore, skuadra e Marko Van Basten është ngjitur në vendin e parë të Grupit 1 dhe tashmë është vetëm një hap, larg finaleve të Botërorit 2006 në Gjermani. Van Nistelroi ishte shërbyer nga Mark Van Bomel dhe më pas ka mposhtur portierin armen, Roman Berezovski, duke shënuar golin e dytë të takimit në minutën e 34-rt. “Ishte diçka fantastike që unë arrita të shënoja sërish, ka thënë Van Nistelroi. Mora një pasim shumë të saktë nga ana e Mark Van Bomel dhe më pas shënova. Ky ishte goli im i parë, qysh prej dëmtimit të pësuar dhe prandaj ndihem shumë i kënaqur. Kisha kohë që po e prisja një çast të tillë dhe më vjen mirë se shënova me ngjyrat e skuadrës përfaqësuese”. Dëmtimi i pësuar në fundin e muajit nëntor e ka mbajtur bomberin holandez, plot tre muaj jashtë fushave të futbollit, përpara se të rikthehej në formacionin titullar të Mançester Junajtid në shkurt. Pavarësisht nga goli i shënuar kundër Armenisë, Van Nistelroi ka theksuar se nuk ka mbetur aspak i kënaqur me lojën e zhvilluar nga skuadra holandeze. “Një nga objektivat tona ishte fitorja, por nga ana tjetër ne nuk arritëm të mbizotëronim gjatë gjithë takimit, ka shtuar Van Nistelroi. Megjithatë, jo gjithçka funksionoi. Nuk arritëm ta qarkullonim topin me qetësi në gjithë minutat e ndeshjes”.