E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bekam e Abramoviç, pasanikët e Britanisë së Madhe

Dejvid Bekam vazhdon të kryesojë listën e futbollistëve më të pasur në Britani. Sipas një klasifikimi të bërë nga gazeta britanike "Dailymail", mesfushori i Realit të Madridit renditet i pari me një pasuri prej 87 milionë stërlina. Pavarësisht momenteve jo të mira që po kalon te galaktikët, "Spice boy" mbetet një nga futbollistët më të pasur në botë. Me fanellën e "merengesve" anglezi ka një kontratë 4.4 milionë stërlina në vit dhe një numër të madh sponsorizimesh vjetore nga të cilat përfiton 19 milionë. Bekam ndiqet nga sulmuesi i Njukasëllit, Majkëll Ouen me 32 milionë stërlina dhe liverpulasi Robi Fauler me 28 milionë. Top-ten vazhdon me Sol Kempbëll me 27 milionë, Rio Ferdinand, Rajan Gigs dhe Andriy Shevchenko me 22 milionë stërlina. Kapiteni i Arsenalit e shikon veten në vendin e tetë me një pasuri prej 21 milionë. Më pas vijnë Uejn Runi me 20 milionë dhe Mikael Balak me 18 milionë. Ukrainasi i Celsit është futbollisti më i paguar i huaj në Premier League. Rroga e tij në "Stemford Brixh" llogaritet 121 mijë stërlina në javë, 1 mijë më shumë se francezi Henri. Blerja tjetër e kampionëve të Anglisë, Mikael Balak përfiton 130 mijë stërlina në javë. Por më i pasuri në fushën e futbollit nuk diskutohet dhe ai është manjati rus i "Bluve", Roman Abramovic me 10.8 miliardë stërlina. Sipas një studimi të revistës "FourFourTwo" Abramovic renditet i pari për nga pasuria në dhjetëshen e presidentëve të klubeve në Premiership, megjithëse manjati i celikut, Lakshmi Mittal e lë pas me 13.2 miliardë stërlina. Mendohet se Abramovic ka shpenzuar rreth 440 milionë stërlina për londinezët. Pas rusit, presidenti tjetër më i pasur në futbollin britanik vjen aksioneri i Totenhen Spursave, Xho Ljuis me 2.1 miliardë stërlina dhe ai i Sëlltikut, Dermont Desmond me 1.25 miliard.

Lojtarët më të pasur

David Beckham 87 milionë
Michael Owen 32 milionë
Robbie Fowler 28 milionë
Sol Campbell 27 milionë
Rio Ferdinand 22 milionë
Ryan Giggs 22 milionë
Andriy Shevchenko 22 milionë
Thierry Henry 21 milionë
Wayne Rooney 20 milionë
Michael Ballack 18 milionë

Presidentët më të pasur të klubeve

R Abramovich (Chelsea) 10.8 miliardë
J Lewis (Spurs) 2.1 miliardë
D Desmond (Celtic) 1.25 miliard
M Glazer (Man Utd) 1.05 miliard
T Hemmings (Ch'ton, Preston) 900 milionë
Sir A Sugar (Spurs) 790 milionë
R Lerner (Villa) 789 milionë
D Murray (Rangers) 650 milionë
S Keswick, (Cheltenham) 644 milionë
D Sullivan (Birmingham) 595 milionë

Gert Serani

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›