Nedved paralajmëron tërheqjen nga futbolli

Arusha ceke, Pavel Nedved do të preferonte largimin nga futbolli sesa të vuajë dënimin prej pesë javësh që i dha Komisioni i Disiplinës pas ndeshjes me Xhenoan. Pasi mori kartonin e kuq të premten në minutat e fundit të sfidës së "Marassi", mesfushori juventin është skualifikuar për pesë javë nga gjykatësi sportiv. Veterani i "Zonjës së Vjetër" u bë protagonist i protestave ndaj gjyqtarëve të takimit si dhe ka shkelur në mënyrë të vullnetshme kaviljen e kundërshtarit. Por ceku i ka hedhur poshtë pretendimet e Ligës së Futbollit Italian se ka fyer vërtetë gjyqtarin Roberto Farina. "Është e pabesueshme. Zinedine Zidane ka goditur me kokë kundërshtarin dhe u dënua vetëm 3 ndeshje. Atëherë unë pse duhet të pezullohesha 5 ndeshje? Nëse kjo është politika, unë do t'i them stop futbollit", ka thënë Nedved nëpërmjet agjentit të tij, Mino Raiola. Ndërkohë skuadra bardhezi ka deklaruar se do të apelojë për këtë masë në adresë të futbollistit të saj. "Nedved më sqaroi se absolutisht nuk do ta pranonte këtë vendim dhe se Farina është një mashtrues. Ai nuk e ka fyer atë dhe nuk e ka goditur kundërshtarin me dashje. Dhe nëse e ka bërë, ka qenë vetëm aksidentale", vijoi Raiola për "Gazzetta dello Sport".
Gert Serani