E Diel, 1 Nëntor 2026

Bekim Bala shkëlqen në Evropë, gol ndaj Atletik Bilbaos

Bekim Bala ka shënuar golin e parë të karrierës së tij në fazën në grupe të një kompeticioni europian, në fitoren 3-1 që Sparta e Pragës arriti dje ndaj spanjollëve të Atletik Bilbaos. Sulmuesi shkodran realizoi golin e dytë për ekipin çek, në minutën e 41-të, duke futur në “kasafortë” rezultatin, që deri në ato momente shihte në avantazh 1-0 vendasit. Për Balën është hera e parë që luan në këto nivele të futbollit europian, ndërsa goli i tij është i pari për shqiptarët në Kupat e Evropës për këtë sezon. Ndërkohë, titullar ka luajtur edhe Lorik Cana, në fitoren 1-0 që Lacio arriti në “Olimpiko” përballë Mariborit. Takimi u vendos nga një gol i Ederson në minutën e 62-të, ndërkohë që sllovenët e mbyllën takimin me 10 vetë për shkak të kartonit të kuq të Vudoviç. Sa i përket Canës, ai u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 54-t, por paraqitja e tij ishte e një niveli të mirë, ç’ka mund t’i ofrojë më shumë vend në formacion në takimet e ardhshme.

Në takimet e tjera të Europa League, që u luajtën mbrëmë, spikat triumfi 3-2 i Udinezes në “Anfield Road” përballë Liverpulit. Edhe pse në disavantazh në pjesën e parë, italianët përmbysën gjithçka në të dytën. Ndërkohë, Atletiko Madrid ka arritur të marrë 3 pikët e radhës, pas golit të realizuar nga Kristian Rodrigez në minutën e 93-të ndaj Viktoria Plzen. Fitore e madhe dhe për Fenerbahçen, 4-2 në fushën e Mynshengladbah, ndërsa Marseja shkatërroi 5-1 AEL Limasol. Ka fituar edhe Anzhi, 2-0 ndaj Jang Bois, ndërkohë që Njukasëlli mundi 3-0 Bordonë.

Pavarësisht mungesave të shumta, Interi ka fituar 3-0 në Baku, kundër azerbajxhanasve të Neftçit, duke marrë kështu fitoren e parë në grup në Europa League. Zikaltërit e kanë nisur ndeshjen me shumë ndryshime në formacion, por kanë qenë të papërmbajtshëm, duke realizuar tre herë që në pjesën e parë me anë të Kutinjos, Obit e Livajës. Në pjesën e dytë, skuadra e Stramaçonit ka lëshuar disi për vendasit, që arritën të shkurtonin diferencën me Kanales, por pa mundur ta rihapnin atë.

Skuadra napoletane u mund 3-0 në Holandë nga PSV Eindhoven, në një ndeshje ku italianët nuk u futën asnjëherë në lojë. Ndoshta me mendjen nga kampionati, Napoli ka pësuar dy gola në pjesën e parë, duke mbetur në kuotën e 3 pikëve, po aq sa holandezët.

(a.k/Altin Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›