Bekim Fehmiu i biri Hedoni rrëfenditët e fundit
BEOGRAD-Ai jetoi si samuraj dhe vdiq si një samuraj! Babai im shkoi me stil të madh, ashtu sikurse edhe jetoi. Unë jam i trishtuar sepse më mungon, por jam njëkohësisht i lumtur për shkak të tij... Kjo ishte dëshira e tij, dhe unë me gjithë zemër e respektoj dhe e mbështes". Kështu ka deklaruar në një intervistë për gazetën serbe "Alo!", Hedoni, i biri i legjendës së filmit, Bekim Fehmiu, i cili të martën pasdite kreu vetëvrasje. Në heshtje, gati vjedhurazi ka vendosur për këtë veprim. Është shtrirë në shtrat, dhe vendosi që të shtjerë me armë vetveten. Iu kishte lënë një letër lamtumire të afërmve më të dashur, në të cilën për herë të fundit iu thotë se i do, por edhe i luti ta kuptojnë. Djali i vogël i Fehmiut ka thënë në një intervistë për "Alo!" se dëshira e babait të tij ishte që Lumbardhi i Prizrenit të jetë varri i tij. "Gjithmonë i ka thënë nënës se kur të vijë ai moment, hiri i tij të shpërndahet në Lumbardhin e Prizrenit. E ka dashur atë qytet, ishte shtëpia e tij e dytë. Është shpërngulur aty nga vendlindja e tij, Sarajeva. Pasi të përfundojë kremacioni, ne do të shkojmë atje për ta përcjellë në banesën e përjetshme", tregon dëshirën e familjes së tij, Hedoni. Ai ndau kujtimet për babain e tij nga ditët e tij të fundit. "Ai gjithmonë ka thënë se nëse nuk është vital, energjik me trup dhe shpirt, nuk dëshiron të jetojë. Dhe, nëse diçka e tillë ndodh, do të shtie me një plumb në ballë! Ne gjithmonë nuk e kemi marrë seriozisht, duke menduar se është tepër romantik, por ai ka qenë gjithmonë konseguent! Vitin e kaluar ka humbur dy motrat, për të cilat është shqetësuar. I ka parë se si vyshkeshinn sikur bimët, të vetëdijshme se jeta, të cilën e kishin dashur ka kaluar, por nuk ka mundur t'i ndihmonte", thotë Hedoni. Dhe, ai mban mend dëshirën e pashuar të të atit për jetën, e cila në fund të shkurtit u zhduk pothuajse brenda natës. "Deri para katër muajsh, nuk ka pasur njeri më vital se ai. Kur vija nga rruga, m'i merrte çantat e mia dhe vetë i bartte deri në katin e nëntë. Është kënaqur. Pastaj, pësoi një goditje në tru dhe çdo gjë ndryshoi. Ai ishte i pafuqishëm, u plak pothuajse brenda natës. Lëvizte dobët, fliste dobët, nuk ishte më i njëjti njeri, dhe këtë e ndjente. Nuk e ka dashur një fund të tillë...", kujton Hedoni. Pasi me nënën e tij ka gjetur trupin e pajetë të babait të tij mbi krevat, Hedoni thotë se kanë përjetuar një tronditje të thellë. "Nga ai shok, trishtim, dhimbje e deri te vetëdija se kishte kërkuar ashtu dhe për këtë shkak nuk duhet të vuajmë. Mund të flas një vit të tërë, për të treguar se për çfarë do ta mbaj në mend. Ka aq shumë! Ai ishte një njeri i rrallë", thotë Hedoni. Lajmi tragjik e ka gjetur një trashëgimtar tjetër të Bekimit, të birin Uliksi, në Amerikë. "Ai ishte në shok më të madh! Nuk ishte pranë tij dhe nuk e dinte se çfarë po ndodhte", thotë Hedoni, i cili kishte dalë në aeroport për ta pritur të vëllain.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)