E Diel, 1 Nëntor 2026

“Terroristi”, reagon e shoqja: S’ka qënë kurrë në Amerikë

MITROVICE-Nga shtëpia e tij e vjetër, pesë metra larg stacionit të policisë në Mitrovicë, Bajram Asllani dyshohet se planifikonte sulme terroriste. Me pseudonimin Ebu Hatab, për një kohë ishte vëzhguar nga hetues të FBI. Të enjten, u arrestua dhe pritet të ekstradohet në SHBA. Dyshohet se i takon grupit të njëjtë me Hysen Sherifin. Bazuar në aktakuzë, është e sigurt se ai do t’i përjetojë muret e burgut të sigurisë së lartë të shtetit të Karolinës së Veriut.

Familjarët e tij nuk besojnë që ai të ketë qenë aq i zoti sa të merret me plane terroriste. E përditshmja kosovare Express ka përcjellë situatën nga banesa e të arrestuarit që bië ne sy për varfërinë e saj të tejskajshme.
“Bajrami nuk e ka parë kurrë Amerkën me sy, por nëse duan, le ta dërgojnë atje dhe e sheh”., kështu është shprehur Besa Asllani, bashkëshortja e Bajram Asllanit, personit të arrestuar të enjten në Mitrovicë, për veprën e rëndë penale të përfshirjes në plane terroriste.

Por, Besa nuk beson se burri i saj ka qenë aq i zoti sa të merret me plane terroriste. Madje, ajo betohet se bashkëshorti i saj ka vetëm një emër dhe quhet Bajram Asllani.
Megjithëkëtë, ajo ndoshta nuk e di se bazuar në të dhënat e hetuesve amerikanë, bashkëshorti i saj ka pasur edhe një emër tjetër, të cilin nuk e ka përdorur kur ka biseduar me të.

“Ebu Hatab” është emri i dytë me të cilin Prokuroria Publike e Karolinës së Veriut i referohet Bajram Asllanit, sa herë që atij i përmendet identiteti i tij i vërtetë.

Sipas tyre, me këtë emër, Bajrami ka komunikuar me personat e tjerë, të cilët, sikurse ai, janë përfshirë në planifikime për të kryer vepra të rënda terroriste.

Bazuar në aktakuzën me të cilën ngarkohet, Bajrami ka mundësi të vendoset në të njëjtin burg me Hysen Sherifin, një bashkëatdhetar tjetër të tij nga Kosova, saktësisht Gjilani.
Vepra penale për të cilën dyshohet Bajram Asllani është thuajse e njëjtë me atë të Hysen Sherifit dhe pesë shtetasve të tjerë arabo-amerikanë, që vitin e kaluar ishin arrestuar përnjëherë.

Prokurori publik i Shteteve të Bashkuara për Qarkun Lindor të Karolinës së Veriut e ka akuzuar Bajram Asllanin për dy vepra penale që përmbajnë atë të përgatitjes së sulemeve terroriste.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›