E Diel, 1 Nëntor 2026

Bekim Haxhiu: KE-ja ta marrë përsipër organizimin e kuvendit zgjedhor!

Situata në shtëpinë e futbollit kosovar ende është e mjegullt dhe ajo vështirë se mund të qartësohet para 12 janarit, kur është paraparë të mbahet kuvendi i jashtëzakonshëm i ftuar nga kryetari i FFK-së, Sabri Hashani. FFK-ja ende nuk ka shqyrtuar materialin e dorëzuar nga delegatët për Kuvendin e jashtëzakonshëm të 29 dhjetorit, në të cilin u shkarkua kryetari aktual. Ndërkohë, sot pritet të zhvillohet një takim i Grupit punues i dalë nga kuvendi i jashtëzakonshëm dhe Komitetit Ekzekutiv të FFK-së. "Të martën (sot) në orën 16:00 do të zhvillojmë një takim me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, sepse ne jemi të përkushtuar t'i përmbahemi Statutit të FFK-së dhe shpresojmë se të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe anëtarët e KE-së. Shumica e anëtarëve të KE-së e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë takim", ka theksuar kryesuesi i grupit punues, Bekim Haxhiu, duke shtuar: "Kuvendi i 29 dhjetorit ka marrë vendim për shkarkimin e Sabri Hashanit dhe ai vendim është legjitim, andaj iu mbetet nënkryetarëve të FFK-së, Agim Ademi e Haki Demolli, të marrin përsipër organizimin e Kuvendit zgjedhor të FFK-së, që do të mbahet më 19 janar. Natyrisht, ne si grup punues do të bashkëpunojmë me Komitetin Ekzekutiv, në mënyrë që organizimi i kuvendit të jetë në nivel sa më të mirë". Ai ka thënë se Grupi punues është vazhdimisht në kontakt me delegatët dhe lidhjet rajonale. "Ekziston një pajtueshmëri në mesin e delegatëve se nuk ka nevojë që një njeri të shkarkohet nga posti dy herë, prandaj ne jemi të bindur se më 12 janar nuk do të ketë kuvend, pasi atë nuk e ka ftuar Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, por vetë Sabri Hashani. Po ashtu, ne kemi konfirmimin e shumicës së delegatëve se do të jenë të pranishëm në Kuvendin zgjedhor që do të mbahet më 19 janar, pasi aty do të zgjidhen njerëzit e rinj që do të udhëheqin me futbollin kosovar". Përvec takimit me anëtarët e KE të FFK-së, Grupi punues sot do të ketë një takim edhe në zyrën e UNMIK-ut, ku zyrtarët ndërkombëtar do të njoftohen në lidhje me ecurinë e Kuvendit të jashtëzakonshëm të 29 dhjetorit. Ndërkohë deri në mbylljen e afatit për dorëzimin e kandidaturës për kryetar të FFK-së kanë mbetur edhe pesë ditë dhe duket se ekziston një hezitim i të interesuarve për të shpallur kandidaturën e tyre, duke parë paqartësinë e krijuar pas Kuvendit të 29 dhjetorit. "Deri më tash nuk ka asnjë kandidat të paraqitur, por kjo besoj se do të ndodh në ditët e ardhshme. Të interesuarit për kryetar të FFK-së kandidaturën e tyre duhet ta paraqesin në selinë e FFK-së, së bashku me 15 nënshkrime të delegatëve dhe planprogramin e tyre", është shprehur Haxhiu, i cili ka thënë se ai vetë nuk ka ambicie për kryetar të FFK-së. "Një gjë është e sigurt - unë nuk do të jem kandidat për kryetar, por do të jem në shërbim të delegatëve së bashku me anëtarët e tjerë të grupit punues, deri në Kuvendin zgjedhor", ka përfunduar Haxhiu. Duke pasur parasysh kriterin e 15 nënshkrimeve të delegatëve, atëherë për kryetar të FFK-së mund të pretendojnë maksimalisht tri veta, edhe pse kandidati më serioz për të qenë ‘zot shtëpie' në shtëpinë e futbollit kosovarë duket të jetë Fadil Vokrri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›