Të mëdhenj në futbollin e vogël: Ja cilët shkëlqyen në Kategorinë 1

Ëndërrojnë kategorinë Superiore. Me skuadrat e tyre aktuale apo me të tjera, e c'rëndësi ka. E sigurtë që do ta mbërrijnë një ditë. Falë performancës së tyre në pjesën e parë të sezonit, ajo është më e afërt se kurrë… Kjo formë I ka shndërruar ata në yjet e pashpallur të fazës së parë të Kategorisë 1, që u mbyll në ditët e fundit të 2007-ës. Për një arsye ose një tjeter, janë emra të njohur tashmë për veshët tanë. Ndokush prej tyre ka mbërritur deri në kombëtaren U-21, ndonjë tjetër vjen nga Kosova dhe ka bërë admirues klube të mëdhenj, një tjetër nga Afrika pasi e ka provuar edhe më parë kampionatin shqiptar. Shoshi, Eminhazeri, Shtrepi, Sisoko, Rushani, Frashëri, Cela, Akamba, Semina, Sefa e ndonjë tjetër, kanë rritur kuotat e tyre personale në pjesën e parë të sezonit.
Podi- Pakkush ka dyshime, për faktin se lojtari më I lakmuar I kategorisë 1, është kapiteni I Apolonisë, Maringlen Shoshi. Futbollisti I padiskutueshëm I përfaqësueses U-21, mund të kishte luajtur pa problem në ndonjërën prej ekipeve elitare të Superiores. Ka zgjedhur të ndihmojë që të ngjitet atje, klubin e qytetit të lindjes. Edhe pse në një moshë të re, futbollisti ka qenë një lider për Apoloninë në këtë fillim sezoni. Duke e parë të luajë, janë të shumtë ata që betohen se në pak vite do të jetë, qendërmbrojtësi I ri I kombëtares së Shqipërisë. Dikush tjetër, e ardhmja e të cilit, është e sigurtë luan futboll për Bilisht Sportin. Ai është kosovari Eminhazeri, një mesfushor me tipare sulmuese, që I ka bërë të ëndërrojnë të gjithë në Bilisht. Mesfushori, është ndjekur nga disa prej ekipeve më të mira të Superiores. Vllaznia, mendohet të jetë në pole position për të, pasi trajneri Mirel Josa, është bërë një tifoz I thekur I tij, pasi e ka parë të luajë në një ndeshje në Shkodër, kundër Adës. Andi Shtrepi, mund të ketë bërë xhiron e një pjese të madhe të skuadrave të Superiores apo të Kategorisë së parë, por te Laci sivjet ka gjetur një formë të paparë. Dhjetë golat në këtë fazë të parë, që e kanë bërë kryegolashënuesin e kampionatit, nuk kanë shumë nevojë për koment. Një golashënues I spikatur është edhe Sisoko I Bylisit, me ndryshimin që afrikani ka qenë gjithashtu një lojtar skuadre për ballshiotët. Edhe pse me emra të njohur në përbërje, Bylis e ka vuajtur mungesën e ish-futbollistit të Flamurtarit, në disa ndeshje.
Në shpërthim- Disa futbollistë të rinj, kanë vazhduar fazën e tyre të rritjes në skuadra të ndryshme të Kategorisë së parë. Nga Frashëri I Bilishtit te Semina apo Galica të Adës, duke kaluar nëpërmjet futbollistëve si Sefa I Lushnjes, portieri Hoxha I Erzenit, sulmuesi Malo I Dajtit, Rushani I Apolonisë apo Akamba I Turbinës, të gjithë kanë një të përbashkët. Janë të rinj, por me formën e treguar pjesën e parë të sezonit, premtojnë shumë.
Shoshi -Ka zgjedhur të ndihmojë që të ngjitet atje, klubin e qytetit të lindjes edhe pse mund të luante në secilin prej klubeve më të mëdha të vendit. Në një moshë krejt të re, futbollisti ka qenë një lider për Apoloninë në këtë fillim sezoni. Aq sa pas një dëmtimi të tij, skuadra ka marrë vetëm 1 pikë në katër ndeshje.
Eminhazeri- Kosovari ishte mister-askushi, kur mbërriti te Bilisht Sporti në verën e vitit të kaluar. Që atëherë ka bërë shumë admirues në mes ekipeve më të mira të Kategorisë Superiore. Luan si mesfushor fantasist dhe ka një nuhatje të mirë për golin. Në kampionatin shqiptar, Vllaznia duket skuadra më afër tij.
Shtrepi- Andi Shtrepi është një emër I njohur në futbollin shqiptar, pasi ka luajtur me një pjesë të mirë të skuadrave të Superiores apo të Kategorisë së parë, por te Laci sivjet ka gjetur nivelin e tij më të mirë. Dhjetë golat në këtë fazë të parë, që e kanë bërë kryegolashënuesin e kampionatit, flasin shumë.
Sisoko- Sulmuesi nga Senegali, ka qenë sistematikisht një lojtar I frikshëm për kundërshtarët në ndeshjet që ka luajtur. Edhe pse mes një dëmtimi dhe mungesave për shkak kartonash, ai ka lënë shenjën e tij në këtë sezon. Është padyshim një ndër të huajt më të mirë aktualisht në Shqipëri.
Emrat e dalluar të së parës…
Muhamadu (Bylis)
Asllani (Bylis)
Dimo (Bylis)
Frashëri (Bilisht Sport)
Akamba (Turbina)
Cela (Lushnja)
Sefa (Lushnja
Rushani (Apolonia)
Semina (Ada)
Galica (Ada)
Hoxha (Erzeni)
Balla (Pogradeci)