E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bektel-Enka mbjell 11,500 pemë



Pemët janë bërë kohët e fundit lajm në të gjitha mediat e vendit. Thuajse çdo javë mbillen 10 pemë nga bizneset në Tiranë, duke marrë bekimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Por, ajo që nuk bëhet nga pushteti vendor, duket se do të realizohet nga kompania amerikane Bektel-Enka, e cila ka planifikuar mbjelljen e plot 11 mijë e 500 pemëve përpara përfundimit të rrugës Rrëshen-Kalimash.

Pemët

Burime konfidenciale bëjnë të ditur se kompania ka përgatitur të gjithë infrastrukturën e nevojshme për mbjelljen e pemëve në fjalë dhe se kjo pritet të jetë faza e fundit e punës së kompanisë në Shqipëri. Kompania Bektel-Enka, që është kontraktuar nga qeveria shqiptare për ndërtimin e segmentit më të vështirë të rrugës Durrës-Kukës-Morinë, pjesën e tunelit Rrëshen-Kalimash, do të shtrijë aktivitetin edhe në këtë pjesë jokontraktuale.

Mbjellja e pemëve do të nisë pas përfundimit të tunelit Rrëshen-Kalimash, që sipas burimeve pritet të kryhet brenda afatit të parapërcaktuar, që është qershori i këtij viti. Ndërkohë, pemët dekorative që do të vendosen përgjatë gjithë segmentit, do të jenë një frymëmarrje e re për situatën mjedisore në Shqipëri.

Bektel-Enka është një “joint venture” amerikane dhe turke, ndërmjet kompanive homonime që veprojnë në mbarë botën. Ndërtimi i segmentit Rrëshen-Kalimash të rrugës Durrës-Kukës-Morinë është fituar nga kjo kompani në tenderin ndërkombëtar të organizuar nga Ministria e Ekonomisë.

Gjelbërimi

Gjelbërimi është kthyer ditët e fundit në një ndër temat kryesore të dialektikës politike në Shqipëri. Mbjellja e pemëve të reja dhe ofrimi i sa më shumë hapësirave është kthyer në një domosdoshmëri, sipas të gjithë aktorëve politikë, shoqërisë civile dhe ambientalistëve. Rënia e nivelit të zonave të gjelbra në Tiranë gjatë 6 viteve të fundit dhe betonizimi i vazhdueshëm i qytetit kanë qenë faktorët kryesorë të këtij debati.

Pas uljes në më pak se 4 metra katrorë gjelbërim për person, tashmë ka nisur procesi i rimbjelljes së pemëve, që në kryeqytet me sa duket ecën me hapa të ngadalta, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe ambientalistëve. Një tjetër shembull vjen nga rruga Rrëshen-Kalimash, ku një kompani private ka vendosur të thyejë rekordet dhe tabutë, duke mbjellë më shumë se 10 mijë pemë.

800 pemë dekorative në Durrës

Buxheti i ri i miratuar vetëm pak ditë më parë është “përuruar” me nisjen e një aksioni në shkallë të gjerë nga ana e bashkisë për gjelbërimin e qytetit. Bashkia e Durrësit ka nisur aksionin për mbjelljen e pemëve dekorative nëpër rrugët e qytetit. “Pas miratimit të buxhetit nga ana e Këshillit Bashkiak, ka nisur të realizohet projekti i gjelbërimit të rrugëve”, - u shpreh kryetari i saj, Vangjush Dako. Janë 800 fidanë të cilët do të mbillen në disa prej akseve të rëndësishme të qytetit të Durrësit. Ky është aksioni dytë i bashkisë pasi vitin që shkoi ajo mbolli 1270 fidanë. Bashkia synon që të rrisë sipërfaqet e gjelbëruara në Durrës pas masakrës që është realizuar pas viteve ’90, duke zhdukur nga faqja e dheut sipërfaqe të tëra lulishtesh e duke ngritur mbi to pallate. Projekti i gjelbërimit të rrugëve të Durrësit përfshin mbjelljen e 800 drurëve dekorativë në disa akse kryesore. Për këtë qëllim bashkia ka programuar një fond prej 15 milionë lekësh me të cilët po blihen fidanët e rinj. Tashmë puna ka nisur pasi një pjesë prej tyre ka mbërritur në vendin e depozitimit dhe sot do të nisë mbjellja e fidanëve të parë. Drurët e sapombërritur nga fidanishtet janë lis dhe gështenjë. Fillimisht puna do të nisë në aksin që shtrihet nga shkolla 9-vjeçare “Eftali Koçi” deri në Spitallë si dhe në Rrugën e Tregut Agroindustrial e cila është rikonstruktuar jo shumë kohë më parë. Më pas do të vijohet edhe me rrugët e tjera. Ky është aksioni i dytë i bashkisë në përpjekjet e saj për të gjelbëruar qytetin e Durrësit. Vjet u mbollën 1270 drurë dekorativë që së bashku me këta të sivjetshmit arrijnë në 2070 të tillë. Ndërkohë, gjatë periudhës së ndërmjetme deri në miratimin e buxhetit të ri, kanë qenë disa subjekte private ndërtimi, të cilat mbollën rreth 200 fidanë dekorativë në disa segmente rrugësh. Ato iu nënshtruan rikonstruksioneve ku përfshihej edhe gjelbërimi i tyre. Ndërkohë që këtë vit nuk është regjistruar ndonjë subjekt që të ketë mbjellë ndonjë pemë sikurse ndodhi vitin që shkoi. Në projektin e sivjetshëm është parashikuar edhe zëvendësimi i disa dhjetëra drurësh dekorativë me fidanë të rinj. Durrësi është ndër qytetet me sipërfaqe gjelbërimi të kufizuar në shkallë vendi. Një situatë e tillë është krijuar pasi pjesa më e madhe e lulishteve janë prishur dhe mbi to janë ndërtuar pallate banimi. Janë 20 mijë metër katrorë lulishte të cilat u betonuan gjatë viteve të tranzicionit.

Artur Ajazi

Durrës

Gjoba për ndotësit e lumenjve

Grykëderdhjet e lumenjve në detin Adriatik për shkak të shirave dhe prurjeve të bollshme të këtij dimri kanë sedentuar mbeturina të shumta të cilat kanë shkaktuar ndotjen e një pjese të bregut të detit. Në vijën bregdetare të Durrësit derdhen lumenjtë Erzen dhe Mat. Stina e dimrit u shoqërua me reshje të papara të cilat shkaktuan zgjerimin e shtretërve të lumenjve, por edhe ndikuan në rritjen e prurjeve të tyre. Uji i lumenjve gjatë rrugës së tyre për në det ka marrë me vete mbeturina urbane, drurë e gjithfarë objektesh të tjera të cilat kanë mbushur disa qindra metra vijë bregdetare duke i ndotur ato. Kjo situatë duhet t’i verë në lëvizje strukturat e pushtetit vendor të cilat duhet të mendojnë që tani për pastrimin e tyre. Verën që shkoi, pjesa e plazheve e cila ndodhet pranë grykëderdhjes së këtyre lumenjve, pati frekuentim të madh nga ana e pushuesve të cilët janë në kërkim të zonave të reja. Por edhe vjet pika më problematike ishte pikërisht rëra e ndotur. Gjithashtu në det përfundojnë edhe disa përrenj të cilët kanë shkaktuar të njëjtën situatë, por në përmasa më të vogla. Nga ana e saj, Agjencia Rajonale e Mjedisit në Durrës nga dje ka nisur vendosjen e gjobave ndaj ndotësve të lumenjve në shkallë qarku.

Bashkia

Projekt për edukimin e grave të varfra

Bashkia e Tiranës promovoi dje nismën "Duke kultivuar prosperitet", me synim mbështetjen e grave në nevojë. Të parat që do të përfitojnë nga kjo nismë e bashkisë, që ka gjetur mbështetjen e fondacionit "Abraham Linkoln", Shqipëri, Kryqi i Kuq Shqiptar, Shoqata e ''Grave Kristiane Shqiptare'' dhe Shoqata "Për gratë dhe fëmijët", janë banoret e njësisë bashkiake nr. 11. Këto shoqata kanë ofruar 50 bursa studimi për kualifikim profesional falas, në sekretari-kompjuter, kujdestari fëmijësh, kurse rrobaqepësie, kurse kuzhine etj. “Arsimi profesional është një mënyrë shumë e volitshme dhe e rëndësishme për atë pjesë të popullsisë që nuk mundet të vazhdojë studimet e larta si edhe për të punësuar dhe integruar në shoqëri këto gra dhe vajza duke u dhënë në këtë mënyrë dorën e solidaritetit”, - tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast në mjediset e institucionit që drejton. “Duke kultivuar prosperitet” vjen në vazhdimësi të programeve për zhvillimin e grave të riskuara nga mungesa e informacionit. Duke ofruar edukim profesional dhe shërbime këshillimi, ato mund të përballojnë sfidat e jetës së përditshme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›