Reforma integrale riktheu besimin tek ZRPP-ja
Modernizimi i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në kuadër të problemit më të gjerë të pronësisë, ka qenë një ndër objektivat themelorë të qeverisë shqiptare që në krye të herës. Në përgjigje të këtij objektivi janë ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme për ta bërë këtë institucion më fleksibël, më të menaxhueshëm dhe më të hapur ndaj publikut. Në momentin e emërimit tim në këtë detyrë, rreth dy vite më parë, ishte imperative përgatitja dhe implementimi i një strategjie që do të ndalonte dekadencën e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për ta rikthyer atë në normalitet pune. Sfidat kanë qenë dhe vijojnë të jenë madhore në drejtim të parandalimit të regjistrimeve të paligjshme, rritjes së sigurisë së informacionit, shpejtësisë së përpunimit të informacionit, transparencës dhe hapjes ndaj publikut si dhe shërbimit cilësor ndaj klientëve, qofshin këta qytetarë privatë, biznese apo institucione publike.
Më lejoni të parashtroj shkurtimisht reformat dhe ndryshimet që janë kryer në këtë institucion, duke u bazuar në prioritetet e sipërpërmendura.
Parandalimi i regjistrimeve të paligjshme, fshirja e regjistrimeve të paligjshme të kryera më parë dhe krijimi i një regjistri unik të pasurive të paluajtshme, kanë qenë alfa e punës sonë. Kryeregjistruesi ka propozuar akte nënligjore dhe ka nxjerrë me dhjetëra urdhra dhe udhëzime për të normuar punën e ZRPP-së dhe për të minimizuar hapësirat ligjore, të cilat keqpërdoreshin për të kryer regjistrime që vinin në kundërshtim me ligjin. Me anë të këtyre akteve tashmë është bllokuar mundësia për të krijuar regjistrime të paligjshme pronësie dhe është hapur rruga për të fshirë regjistrimet e paligjshme. Ndryshimet e kryera në ligj dhe plotësimi i tij me udhëzime nga qeveria shqiptare i ka dhënë të drejtën ZQRPP-së të fshijë të gjitha mbivendosjet dhe regjistrimet e paligjshme. Ky proces është në vijim e sipër dhe kemi hasur në interesin e madh të qytetarëve për të risjellë në ligjshmërinë e tyre regjistrimet e pasurive të paluajtshme në ZRPP.
Rritja e sigurisë së informacionit që ofron Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka një lidhje të pandashme me reformat e sipërpërmendura. Për të forcuar besueshmërinë e dokumentacionit që shërben ZRPP-ja, ne në bazë të një vendimi jemi të detyruar, që për çdo kërkesë të qytetarit, të verifikojmë në origjinë pasurinë. Ky verifikim ose certifikon përfundimisht vlefshmërinë e regjistrimit të kryer, ose nxjerr në pah problemet që kanë të bëjnë me një regjistrim të tillë, duke parandaluar përdorimin e mëtejshëm të këtij regjistrimi, deri në momentin e përplotësimit të detyrimeve ligjore për të pasur një pasuri të regjistruar në mënyrë të ligjshme. Kjo metodë ka mobilizuar jo vetëm punonjësit e ZRPP-së, por edhe klientët, të cilët po kryejnë procedurat e nevojshme për të garantuar përfundimisht ligjshmërinë e regjistrimit të pronës së tyre.
Rritja e sigurisë dhe e shpejtësisë së përpunimit të informacionit lidhet ngushtë me një proces të gjatë dhe të ndërlikuar nëpërmjet të cilit po kalon ZRPP-ja, që ka të bëjë me modernizimin e të gjithë sistemit. Në këtë kuadër, ne po implementojmë me asistencën e Bankës Botërore projektin LAMP (Land Administration and Management Project), i cili është i fokusuar në tri piketa kryesore, regjistrimin fillestar të pasurive për ato pasuri të paluajtshme të cilat nuk kanë kaluar regjistrimin fillestar (tashmë kemi filluar regjistrimin e 120 mijë pasurive të paluajtshme dhe janë në proces edhe 380 mijë pasuri të tjera), dixhitalizimin dhe përmirësimin e të dhënave të pasurive të paluajtshme (është në përfundim e sipër në Zyrat Vendore të Durrësit dhe Tiranës) dhe kompjuterizimin e sistemit (projekti po realizohet me ekspertët e Lantmateriet të Suedisë dhe përfundon brenda tri vitesh), në mënyrë që operimi në ZRPP në një të ardhme të afërt të kryhet në mënyrë dixhitale. Kjo do të bëjë që veprimet mbi pronën të kryhen në mënyrë të shpejtë dhe të sigurt.
Transparenca dhe hapja ndaj publikut ishin objektivi parësor i ZRPP-së dhe për realizimin e tij janë ndërmarrë që në krye të herës reforma të menjëhershme. Fillimisht u instalua aplikimi elektronik, i cili çoi në shmangien e radhëve dhe në transparencën e veprimeve ndaj qytetarëve, pasi atij i jepet një fletë aplikimi, ku ka të shkruar ditën e aplikimit, dokumentacionin e dorëzuar dhe ditën e kthimit të përgjigjes. Në rast të mosplotësimit të këtyre kushteve nga ana e punonjësve të ZRPP-së, ne kemi mundësi verifikimi në mënyrë elektronike të të gjitha ankesave. Kjo ka bërë që të shmanget korruptimi i punonjësve për të marrë përgjigje të shpejtë, pasi punonjësit janë të detyruar të kthejnë përgjigje në afatin e përcaktuar. Gjithashtu, në këtë drejtim janë marrë edhe masa të tjera, si hapja e faqes zyrtare ku publikohen të gjitha të dhënat dhe vendimet e ZQRPP-së dhe qytetarët kanë mundësi të dërgojnë ankesat e tyre në mënyrë elektronike. Gjithashtu, është vënë në dispozicion linja jeshile për të bërë denoncimet dhe të gjitha këto do të pasohen së shpejti me një fushatë për ndërgjegjësimin e publikut për punën e ZRPP-së dhe inkurajimin e tyre për të denoncuar çdo padrejtësi.
Përmirësimi i shërbimit ndaj qytetarëve dhe lufta ndaj korrupsionit nuk është konceptuar nga ana jonë si një fushatë me pritshmëri dhe arritje sporadike, por si një reformë integrale e të gjithë sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Reforma ligjore dhe ajo në drejtim të modernizimit të sistemit kanë pasur natyrshëm si pasojë përmirësimin e shërbimit ndaj klientëve - qofshin qytetarë, biznese apo institucione - kanë çuar në uljen e nivelit të korrupsionit dhe rritjes së besueshmërisë së institucionit në perceptimin e publikut. Ne nuk mund të pretendojmë se në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme shërbimi ndaj qytetarit është perfekt - mund të ketë abuzime dhe korrupsion nga ana e punonjësve të caktuar - por një gjë mund ta themi me siguri: shtrati i reformave të ndërmarra ka krijuar terrenin që në një kohë të shkurtër kohore ZRPP-ja të mos jetë më në axhendën e problemeve të qytetarëve.
*Kryeregjistruesi i Republikës së Shqipërisë