E Shtunë, 31 Tetor 2026

Belardeli, italiani pas burgut bëhet presidenti i Laçit



Ndërsa biznesmeni shqiptar, 38-vjeçari Rezart Taçi, bleu Bolonjën (80 për qind të aksioneve) dhe është president i klubit italian të Serisë A, një italian, Pietro Belardeli, 65 vjeç, prej gati katër javësh është zgjedhur presidenti i Laçit, skuadrës shqiptare kampione të Kategorisë së Parë dhe që sezonin e ardhshëm merr pjesë si një nga 12 skuadrat e Kategorisë Superiore.
Ndërsa Taçi është në qendër të medias italiane, edhe Belardeli, ish-president i Luganos në Zvicër, është në qendër të vëmendjes se medias zvicerane e italiane. Arsyet janë nga më të pabesueshmet dhe lidhen me jetën e biznesmenit roman. Gjatë një rrëfimi ekskluzive për faqen zvicerane Ticinoneës.ch të botuar të hënën, biznesmeni nga Roma, i konsideruar si “mitmarrës” e njëri me lidhje me grupet kriminale, pohoi: “Më kanë pikturuar si një kriminel, por drejtësia më në fund më dha të drejtë”.
Pikërisht ky njeri që “dashuron futbollin”, dhe që ka kaluar disa muaj “prapa hekurave” të burgut, është drejtuesi më i lartë i një skuadre shqiptare të Superligës. “Shumë nga media italiane më ka përbaltur, por unë do të rihej në botën e futbollit nga porta kryesore”, - ishte shprehur Belardeli për “Global Press”.
Në fakt, akuzat ndaj tij nuk u provuan asnjëherë, dhe prokuroria e Milanos i anuloi ato. “Belardeli ishte akuzuar për riciklim dhe lidhje me grupet kriminale dhe tani vendosi të marrë një skuadër shqiptare futbolli”, - shkruan “Ticinoneës”. “Nuk ka rëndësi ku dhe si, - thotë Belardeli, - futbollin e kam në gjak. Kalova muaj në burg pa pasur kurrë një proces të rregullt, por kam qënë liruar nga të gjitha (akuzat) pasi faktet nuk ekzistonin. Tani kam një llogari të hapur me drejtësinë italiane”.
Belardeli tani është një njeri i lirë dhe i pastër. Gjithsesi emri i tij ishte i lidhur nga media italiane dhe zvicerane me vrasjen e Jerminit, pronarit të skuadrës së Luganos në Zvicër, të vdekur në mënyrë misterioze. “Nuk e kuptoj me çfarë kurajo lidhet emri im nga media me këtë episod të dhimbshëm”, - thotë ai.
Me tej Belardeli vazhdon: “Pas burgut kam punuar si një biznesmen fillimisht në Bullgari e Shqipëri, në këtë të fundit falë edhe një kryetari bashkie të një vendi të vogël, kuptova se ka njerëz për të cilët fjala, morali vlen diçka. Ju them se jam pranë blerjes së një skuadre futbolli, pikërisht në Shqipëri. Për këtë do të dëgjoni akoma të flitet për mua, Belardeli dëshiron të jetë akoma në lojë, të jetë konkurrues, nuk e kam humbur dëshirën për të jetuar”, - përfundon Belardeli, tashmë president i Laçit.

6 muaj
burg bëri Belardeli, për shkak të akuzave të pavërtetuara për riciklim parash dhe lidhje me grupet kriminale.

65 vjeç
është presidenti italian i Laçit, i dyti pas Xhixhi di Simone që ka drejtuar Partizanin në vitet 1993-1997.

Taçi, presidenti i Bolonjës

38-vjeçari Rezart Taçi, bleu Bolonjën (80 për qind të aksioneve) dhe është president i klubit italian të Serisë A. Presidenti i “Taçi Oil International” është i pari shqiptar që bëhet president i një klubi italian, duke vendosur edhe një “rekord origjinal”. Taçi është gjithashtu njeriu që ka mundur të sjellë Milanin dy herë në Shqipëri, dhe kjo në harkun e tetë muajve (tetor 2008-maj 2009).

28 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›