Britani e Madhe, Miliband flet për “dialog” me Talebanin
Ministri i jashtëm britanik, Dejvid Miliband, ka bërë thirrje për një ndyshim të thekseve në strategjinë për Afganistan. Ai i bëri thirrje qeverisë së vendit që të bisedonte me elementët më të moderuar të Talebanit. Duke folur në selinë e NATO-s në Bruksel, Miliband tha se rebelët e përshkruar në mënyrë të përgjithshme si talebanë, ishin në fakt grupe më komplekse dhe disa duhet të ndahen dhe të integrohen përsëri në politikën afgane. Ai tha se trupat ndërkombëtare dhe forcat afgane duhet të mbrojnë njerëzit nga kërcënimet e talebanëve.
BE
Ministrat shqyrtojnë kërkesën e Islandës
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian u takuan dje në Bruksel ku diskutuan për procesin e zgjerimit, veçanërisht për kandidaturën e Islandës. Karld Bildt, ministër i Jashtëm i Suedisë, e cila aktualisht kryeson presidencën e radhës së Bashkimit Europian, para takimit tha se për Islandën “mund të jetë një rrugë më e shkurtër, pasi ky vend tashmë është pjesë e tregut të përbashkët dhe e zonës Shengen”. Ministrat e jashtëm të BE-së përsëritën perspektivën për anëtarësim në BE të vendeve të Ballkanit.
SHBA
Sara Pejlin jep dorëheqjen nga posti i guvernatores
Guvernatorja e shtetit të Alaskës, ish-kandidatja republikane për nënpresidente Sara Pejlin, u largua zyrtarisht nga posti. Pejlin u tërhoq nga detyra, pasi deklaroi në fillim të këtij muaji se do ta linte postin e guvernatores, 17 muaj para se t’i përfundonte mandati. Vendin e saj e zë tani zëvendës-guvernatori i shtetit Shon Parnell. Në fjalimin e lamtumirës në qytetin Ferbenks të Alaskës, ajo tha se po tërhiqet për shmangur statusin joproduktiv të personit që vetëm pret sa t'i mbarojë mandati në muajt e fundit të tij.
Koreja e Veriut
Pranon uljen e tensioneve, e hapur për dialog
Koreja Veriore bëri të ditur se është e hapur për dialog pasi kështu do të uleshin tensionet lidhur me programin e saj bërthamor. Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të këtij vendi thuhet se “ekziston një formë specifike dhe e rezervuar e dialogut, për të shqyrtuar situatën aktuale”. Megjithatë, Peniani bëri të qartë përsëri se nuk do të kthehet në bisedimet atomike gjashtë palëshe, në të cilat përfshihen Kina, Japonia, Koreja Jugore, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ky forum po synon vetëm “çarmatimin dhe paaftësimin” e Koresë Veriore.
28 Korrik 2009